Në majin e vitit 2022, në emalin zyrtar të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte shkuar një letër me tri faqe e me plot ankesa për këshilltaren e saj politike, Nazlie Bala. Kishte qenë Sindikata e Institutit të Mjekësisë Ligjore, e cila ministres Haxhiu i kishte rrëfyer për ndërhyrjen e këshilltares së saj, Nazlie Bala, në punën e këtij institucioni. Madje kjo sindikatë kishte shkruar se Bala po e dirigjon komplet punën në IML.
Në lidhje me përmbajtjen e kësaj letre e cila u publikua në Nacionale, Haxhiu në një prononcim për Albanian Post, ka thënë shkrutimisht se “nuk merrem me ta”.
”Nuk merrem me ta”, ka thënë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu për Albanian Post kur i është kërkuar të komentojë një letër të Sindikatës së Institutit të Mjekësisë Ligjore publikuar në media, ku i ankoheshin për ndërhyrje të vazhdueshme të këshilltares së saj, Nazlie Balaj.
Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë ka disa javë që është bërë temë diskutimi. Kjo pas zhdukjes së disa mostrave të ish-aktivistit të ndjerë të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, nga Laboratori i Toksikologjisë. E në këtë institucion tash po alarmohet për ndërhyrje flagrante politike nga kabineti i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Sindikata e IML-së qysh para tetë muajve e kishte paralajmëruar Haxhiun për intervenimet e këshilltares politike të saj, Nazlie Bala. Gazeta Nacionale ju sjell hollësi ekskluzive të përmbajtjes së kësaj letre.
“Ne e kemi parasysh së është në diskrecionin tuaj se kë e emëroni këshilltar, mirëpo për neve është e papranueshme që proceset e IML-së të jenë komplet të dirigjuara nga këshilltarja juaj politike, znj. Nazlie Bala. Ne nuk e kontestojmë ndihmën që mund t’ju ofrojë juve si këshilltare politike dhe kjo nuk është ne interesin tonë…”- thuhet në letrën që Sindikata e IML-së ia kishte dërguar Haxhiut.




