Kryetari i shkarkuar i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Arianit Jakupi, ka folur në një intervistë për Gazetën Shneta. Ai thotë se është shkarkuar nga kjo pozitë me një vendim që sipas tij i janë ngarkuar përgjegjësi që nuk i takojnë atij. Jakupi ka ushtruar ankesë dhe deri në vendimin përfundimtar thotë se do të vazhdojë të përfaqësojë OFK-në.
Kuvendi i Odës së Farmacistëve të Kosovës e ka shkarkuar kryetarin e kësaj organizate Arianit Jakupin më 25 janar të këtij viti. Por Jakupi po konsideron se i është bërë e padrejtë andaj nuk po e lëshon këtë pozitë, shkruan Gazeta Shneta.
Jakupi ka ushtruar ankesë ndaj vendimit të Kuvendit dhe thotë se deri në një vendim përfundimtar do të vazhdojë të përfaqësoj OFK-në.
“Vendimin e Kuvendit e kam pranuar më datë 06/02/2023, dhe më tej kam vepruar në përputhje me këshillen juridike të këtij vendimi, nenin 29 të Ligjit për Odat e Profesionistëve Shëndetësorë dhe nenit 32 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke ushtruar mjetin juridik të ankesës ndaj vendimit që ligjërisht është sqaruar se ka karater suspenziv”, ka deklaruar ai.
Jakupi thotë se pretendimet me anë të të cilave është shkarkuar nga Kuvendi, nuk qëndrojnë meqë sipas tij është ngarkuar me përgjegjësi që nuk i takojnë si kryetar.
“Kuvendi i OFK ka mbajtur mocionin e mosbesimit pas inicimit nga disa anëtarë të kuvendit me pretendime të cilat sipas meje në asnjë mënyrë nuk qëndrojnë. Për këtë arsye pasi e kam marë vendimin dhe duke qenë plotësisht i bindur në punën time të drejtë gjatë tërë kohës, kam shfytëzuar të drejtë juridike (e paraparë edhe në vendim, ligj dhe kushtetutë) dhe kam bërë ankesë në gjyqin e nderit të OFK, meqë përgjegjësitë të cilat janë theksuar në atë vendim, janë përgjegjësi të cilat nuk hyjnë në kuadër të funksionit të Kryetarit të OFK-së, por miratimi i rregulloreve është kompetencë ekskluzive e Kuvendit të Odave neni 19, paragrafi 1, nënparagarfi 1.1 (1. Kuvendi është organi më i lartë i Odës, i cili ka këto përgjegjësi dhe autorizime: 1.1. miraton, ndryshon dhe plotëson statutin dhe aktet e tjera normative)”, ka thënë Jakupi.
Jakupi ka thënë se po vazhdon të mbaj pozitën meqë ankesa që ka ushtruar e shtyn ekzekutimin e vendimit për shkarkim.
“Në këshillin drejtues të OFK ka pasur disa hamendësime (nga anëtari i ndërlidhur me mocionin) lidhur me atë se deri në zgjidhje të këtij rasti kush duhet të përfaqësojë OFK, dhe me këtë rast i jemi drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë. Opinioni Ligjor i MSh sqaron qartë se sipas Ligjit – ankesa e shtyn ekzekutimin e vendimit. Prandaj deri në marrje të përgjigjjes nga gjyqi i nderit vazhdoj të jem kryetar i OFK, të nënshkruaj dhe ta përfaqësoj oden, pasi vendimi i kuvendit ende nuk është i formës përfundimatre deri në marrjen e përgjigjjes në organin ankues”, ka deklaruar Jakupi.
Jakupi ka thënë se shkarkimi i tij mund të lidhet me rregullimin e çmimeve të produkteve medicinale, për çka thotë se e mbështet draft-ligjin.
“Edhe në OFK ka pasur kundërshtime nga grupe të vogla të anëtarëve për rregullimin e çmimeve dhe kjo mund të jetë një nga arsyet. Mirëpo, drafti i Ligjit është një nga çështjet e rëndësishme të reformës së sektorit farmaceutik të cilën edhe si kryetar i OFK por edhe personalisht e mbështes fuqishëm. Reforma e çmimeve mund të kundërshtohet vetëm nga grupe të vogla të personave por që shumica (mbi 95%) e farmacistëve e kërkojmë dhe e presim me padurim fillimin e zbatimit të këtij procesi. Ne presim që kjo shumë shpejt do të dërgohet në kuvend pasi që tashmë kanë kaluar edhe konsultimet publike duke i adresuar edhe rekomandimet e OFK. Gjithashtu pjesë e rëndësishme e reformës për të cilat ne si përfaqësues të farmacistëve angazhohemi është edhe rregullimi i barnatoreve (numrit, kriteret e hapjes, pronësia, shërbimet profesionale) etj., që poashtu mund të shfaqë rezistencë nga frupe të caktuara të interesit”, ka thënë Jakupi.
Jakupi ka thënë se deri më tani nuk ka marr asnjë vendim nga Gjyqi i Nderit në lidhje me ankesën e tij. /Gazeta Shneta/