Ministria e Shëndetësisë ka dal me një njoftim ku ka deklaruar se është nënshkruar një kontratë në vlerë 780 mijë Euro përmes së cilës përfitojnë 22 komuna.
Me këtë kontratë siç ka njoftuar MSH, janë blerë automjete specifike për nivelin e Kujdesit Parësor Shëndetësor për transport të vaksinave dhe për vizita të pacientëve në shtëpi, transmeton Gazeta Shneta.
Njoftimi i plotë:
Ministria e Shëndetësisë nënshkruan kontratë në vlerë të 780 mijë eurove, 22 komuna përfituese të automjeteve specifike për nivelin e Kujdesit Parësor Shëndetësor
Me qëllim të mbështetjes së nivelit të Kujdesit Parësor Shëndetësor (KPSH), përmes fondeve të projektit “Kosovo Emergency Covid-19 Project-AF”, Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar kontratë për furnizim me automjete specifike për nivelin e Kujdesit Parësor Shëndetësor.
Vlera e përgjithshme e kontratës është 748,000.00 Euro. Nga ky projekt do të përfitojnë 22 komuna të Republikës së Kosovës, përkatësisht 22 qendra të Kujdesit Parësor Shëndetësor do të kenë në dispozicion automjete me pajisje të integruara për transport të sigurt të vaksinave dhe për vizitë të pacientëve në shtëpi.
Ky projekt është në kuadër të objektivit kryesor të Ministrisë së e Shëndetësisë, e cila mbetet e përkushtuar që në qendër të vëmendjes të jetë pacienti dhe shërbimet të cilat i ofrohen, duke përfshirë edhe furnizimin me pajisje dhe aparaturë moderne.
Kohë më parë, Ministria e Shëndetësisë ka furnizuar me pajisje për shërbime akute dhe emergjente 34 Qendra Kryesore të Mjekësisë Familjare.




