Spitali i Mitrovicës e ka reduktuar numrin e operacioneve elektive me arsyetimin se nuk ka anesteziologë të mjaftueshëm, edhe pse numri i tyre ishte i njëjtë sikurse vitin e kaluar. Nga ky spital nuk kanë ofruar shifra të operacioneve të kryera vitin e kaluar në krahasim me sivjet
Në Spitalin e Mitrovicës është krijuar një program i ri operativ i përpiluar nga njëri prej anesteziologëve dhe i nënshkruar nga kryeshefi i anestezionit. Ky program i ri ka parashikuar reduktimin e operacioneve elektive ose të njohura ndryshe si intervenime jo-urgjente, shkruan Gazeta Shneta.
Sipas kësaj skeme të re të operacioneve, reparti i Ortopedisë do të mund të shfrytëzojë sallën e operacionit vetëm pesë ditë brenda muajit maj, tri repartet ORL, Oftalmo dhe Urologjia e kanë në shfrytëzim sallën e operacionit vetëm katër ditë, ndërsa gjinekologjia dhe kirurgjia nga gjashtë ditë gjatë muajit maj.
E kjo skemë e re e programit operativ të reduktuar me numrin e operacioneve po përkrahet edhe nga menaxhmenti i Spitalit të Mitrovicës. Kjo me arsyetimin se nuk kanë anesteziologë të mjaftueshëm, ndonëse në këtë spital vitin e kaluar dhe sivjet punojnë katër mjekë anestezistë.
Menaxhmenti përmes zëdhënëses së spitalit i ka dërguar disa përgjigje Gazetës ku pranohet dhe arsyetohet reduktimi i numrit të operacioneve.
“Ne Spitalin e Pergjithshem Mitrovice operacionet elektive jane zvogluar per shkak te mbi ngarkeses se madhe sepse jane 5 salla te medha operative dhe jane 4 Anesteziolog, ku, njeri nga ta eshte me semundje te rende”.
“Sallat ne Spitalin e Pergjithshem Mitrovice punojn 18-20 dite ne muaj, ose me e thjesht nuk punojne vetem 1 dite brenda javes per shkak te mungeses se nje Anesteziologu qe eshte nje dite me heret kujdestar 24 ore. Menaxhmenti i Spitalit te Pergjithshem Mitrovice eshte njoftuar nga kryeshefi i Repartit te Anesezionit per ndryshim te orarit per arsye te mbingarkesës”, thuhet në përgjigjen e Spitalit të Mitrovicës.
Gazeta ka kërkuar sqarime shtesë se sa ka qenë numri i operacioneve në vitet 2019-2020 në të njëjtën periudhë me vitin 2023 në këtë spital meqë janë arsyetuar me mbingarkesë, por nga menaxhmenti nuk kanë dhënë përgjigje. /Gazeta Shneta/




