Kirurgu në Spitalin e Gjilanit dyshohet se i kërkoi pacientes 530 euro për blerjen e rrjetës për operacion si dhe 100 euro për anesteziologun. Gazeta ka mësuar se për të dy mjekët ekzistojnë prova se kanë marr para.
Policia e Kosovës ka arrestuar mbrëmë dy mjekë në Spitalin e Gjilanit, kirurgun L.M. dhe anesteziologun H.B. nën dyshimin për marrje të ryshfetit, shkruan Gazeta Shneta.
Gazeta ka mësuar detaje se si ka ardhur deri tek arrestimi i tyre. Bëhet fjalë për një paciente e cila kishte nevojë për një ndërhyrje kirurgjike, dhe për ta kryer këtë nevojitej edhe një rrjet kirurgjike.
Siç ka mësuar Gazeta Shneta nga burimet, kirurgu kishte kërkuar rrjetë 30×30 cm për të kryer intervenimin e njohur si “bruhi” ose hernia e cila ishte vetëm 4 cm. Kirurgu dyshohet se fillimisht iu ka kërkuar familjarëve para në vlerë 330 euro e më pas edhe 200 euro shtesë me arsyetimin se këtë rrjet mund ta sigurojë vetëm ai dhe askush tjetër. Ndërsa më pas i ka rekomanduar familjarët që t’ia japin edhe 100 Euro anesteziologut.
Gazeta ka mësuar poashtu se për të dy mjekët ekzistojnë provat se kanë marr para nga familjarët.
Edhe Policia e Kosovës ka njoftuar se ka përdorur metodën e stimulimit të veprës tek njëri nga të dyshuarit i cili i ka pranuar paratë, ndërsa për tjetrin ekziston dyshimi i arsyeshëm se ka kryer veprën penale.
“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), konkretisht Njësia Rajonale Gjilan, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Gjilanit, pas kryerjes së veprimeve operative/hetimore, kanë arritur të sigurojnë dyshime të arsyeshme se i dyshuari me profesion doktor/anesteziolog, dyshohet se kishte kërkuar ryshfet në vlerë njëqind euro nga viktima për të kryer një ndërhyrje, po ashtu dyshime të arsyeshme janë siguruar edhe për të dyshuarin e dytë me profesion doktor/kirurg, se lidhur me ndërhyrjen kishte marr treqind e tridhjetë euro, ndërsa kishte kërkuar edhe dyqind euro shtesë. Pasi që është siguruar urdhri verbal nga gjyqtari i procedurës paraprake, për stimulim të veprës penale (Marrja e ryshfetit), hetuesit kanë arritur të sigurojnë dëshmi gjatë dorëzimit të parave tek njëri i dyshuar”, thuhet në njoftimin e Polilicisë së Kosovës.
Nga Policia kanë njoftuar se dy mjekët me vendim të prokurorit janë në ndalim në afat prej 48 orësh. /Gazeta Shneta/




