Policia e Kosovës ka njoftuar se mbrëmë ka arrestuar dy mjekë në Spitalin e Gjilanit nën dyshimine për marrje të ryshfetit. Një kirurg dyshohet se ka marr 330 Euro derisa kishte kërkuar edhe 200 euro shtesë, ndërsa anesteziologu dyshohet se ka kërkuar 100 euro për të kryer operacionin.
Policia e Kosovës ka arrestuar mbrëmë kirurgun L.M. dhe anesteziologun H.B. në Spitalin e Gjilanit nën dyshimin për marrje të ryshfetit. Policia ka njoftuar se anesteziologu dyshohet se kishte kërkuar nga familjarët e pacientes 100 euro për të kryer operacionin, shkruan Gazeta Shneta.
Ndërsa kirurgu L.M. dyshohet se kishte marr para në vlerë 330 Euro ndërsa kishte kërkuar poashtu edhe 200 euro shtesë.
“Pasi që është siguruar urdhri verbal nga gjyqtari i procedurës paraprake, për stimulim të veprës penale (Marrja e ryshfetit), hetuesit kanë arritur të sigurojnë dëshmi gjatë dorëzimit të parave tek njëri i dyshuar. Nga hetuesit e Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, janë arrestuar dhe shoqëruar për intervistim personat e dyshuar, ku me vendim të prokurorit të shtetit është lëshuar aktvendim për ndalim në afat prej 48 orësh”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Arrestimin e mjekëve e kanë konfirmuar edhe nga drejtoria e Spitalit të Gjilanit të cilët kanë konfirmuar se mjekët janë arrestuar derisa ishin në vendin e punës.
“Informacionet per arrestimin e dy mjekeve te SP ne Gjilan i kemi marre mbreme nga ana e zyrtarit policor te krimeve ekonomike pasi qe mjeket jane arrestuar ne kujdestari dhe jane marre per intervistim. Njoftimi përveç tjerash ka qene edhe per organizimin e puneve ne kujdestari per shkak te mungeses se dy mjekeve pas arrestimit te tyre ne kujdestari”, thuhet në përgjigjen e Spitalit.
Për kirurgun L.M. nuk është hera e parë që bie në pranga të Policisë së Kosovës. Ai ishte arrestuar edhe në vitin 2013 për veprën e njëjtë, për marrje të ryshfetit 500 Euro.
”I dyshuari i ka kërkuar dhe njëkohësisht i ka pranuar të holla (kesh) në vlerë prej 500€, nё zyrën e tij (qendrën spitalore në Gjilan) nga një qytetar, me qëllim që ta operojë nënën e tij, e cila lëngonte nga një sëmundje në mëlçi. E tërë puna operativo- hetimore është kryer nën mbikëqyrjen e prokurorit kompetent, i cili ndaj të dyshuarit ka lëshuar urdhrin e ndalimit policor për 48 orë”, thuhej atë kohë në njoftimin e Policisë.
Por, në shtator të vitit 2016-të, ai ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Gjilan./Gazeta Shneta/




