Sekretari i MSH-së Naim Bardiqi është zgjedhur kryesues i Bordit të ri të SHSKUK-së.
Gjatë ditës së sotme është konsoliduar Bordi i ri i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës. Në këtë mbledhje përfaqësuesi i Ministrisë së Shëndetësisë, Sekretari Naim Bardiqi, është zgjedhur kryesues i këtij Bordi, shkruan Gazeta Shneta.
Anëtarët tjerë të këtij Bordi janë Dr. Dren Boshnjaku- Qendra Klinike Universitare e Kosovës; Dr. Tetore Olloni- Qendra Klinike Universitare Stomatologjike e Kosovës; Dr. Rrezarta Bajrami- Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik; Dr. Besim Demolli- Spitali i Përgjithshëm Ferizaj – në bazë të rotacionit dhe përmbushjes së indikatorëve të kualitetit të shërbimeve shëndetësore; Dr. Vjollca Kadolli-Shërbimet e Kujdesit Parësor Shëndetësor, ndërsa një ekspert i menaxhmentit shëndetësor do të zgjidhet në bazë të konkursit publik. Deri më tani këtë funksion e ka ushtruar Enver Gashi.
Kjo mbledhje e parë e Bordit Drejtues është mbajtur pas një takimi që është mbajtur bashkë me ministrin Arben Vitia si dhe ish-anëtarët e këtij organi të cilëve iu skadoi mandati më 28 mars.
Sipas një njoftimi nga MSH, Vitia i ka falënderuar anëtarët e Bordit të deritanishëm për punën dhe angazhimin e tyre.
“Në fillim të punës kishim situatën me pandeminë Covid -19 që ishte një sfidë e jashtëzakonshme për sistemin shëndetësor. Duke falënderuar Bordin e kaluar arritëm që me shumë punë, angazhim dhe përkushtim, t’ia dalim bashkërisht. Këta individë të jashtëzakonshëm, profesionistë shembull kanë dhënë kontribut kyç gjatë kësaj kohe dhe standardi i cili është ngritur besojmë që do të jetë ndihmesë edhe për bordin aktual për rrugën të cilën e kemi përpara”, tha me ketë rast ministri Vitia. /Gazeta Shneta/




