Agjencia e Kosovës për Produkte e Pajisje Medicinale ka marrë vendim që të largojë nga tregu ampulat Omeprazol 40 mg, që përdoren për kurim të lukthit.
Vendimi është marrë të martën, me dyshimin se përdorimi i tyre ka shkaktuar reaksione te disa pacientë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.
Në vendimin e siguruar nga KOHA, ky institucion, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik, ka urdhëruar që tërheqja të bëhet brenda 72 orëve.
“Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale, pas informatës nga QKMF në Prishtinë, me datën 16.5.2023, në lidhje me shqetësimet e disa pacientëve, ku kanë pasur reaksione gjatë dhe pas marrjes së infuzioneve në njësitë e QKMF-së, dhe sipas informatave që i kanë marrë në terren reaksionet e pacientëve kanë qenë: ethe, cianozë, pulsi i shpejtuar, vjellje, dridhje të duarve, dhe dyshimet e para janë se këto reaksione janë shfaqur nga amp. Omeprazol 400 mg”, thuhet në vendimin e AKPPM-së.
Zëvendëskryeshefi ekzekutiv i AKPPM-së, Sejdë Tolaj, ka thënë për KOHËN se vendimi është i përkohshëm, ndërkohë ai final do të merret pasi të dalin rezultatet e analizave.
“Tash veprimet e tjera janë që nga ana e Inspektoratit farmaceutik do të sillen mostra në laboratorin e kontrollit të cilësisë në Agjencinë për Produkte dhe Pajisje Medicinale, ku do të bëhen analizat mikrobiologjike dhe analizat Kimiko fizike. Në qoftë se rezulton se produkti është në rregull, atëherë e shfuqizojmë vendimin që kam marrë sot. Ndërsa analizat rezultojnë se produkti nuk i plotëson standardet e kërkuara të cilësisë, atëherë do të thotë ajo seri hiqet përgjithmonë nga tregu dhe kompania është e obliguar me ligj që në importin e radhës t’i bjerë mostrat për kontrollin e cilësisë në laboratorin e kontrollit së cilësisë që gjendet pranë AKPPM-së”m tha Sejdë Tolaj, zëvendëskryeshef ekzekutiv i AKPPM-së.
Drejtori i QKMF-së në Prishtinë, Bujar Gashi, ka njoftuar se bëhet fjalë për tri raste kur pacientët kanë hasur në reaksione pas përdorimit të këtij bari.
“I kemi tri raste që kanë ndodhur javën e kaluar, që pacientëve iu janë shfaqur skuqje dhe simptoma të tjera. Rastet janë trajtuar, nuk ka pasur diçka serioze. Ampulat janë marrë në QMF, mirëpo ende nuk dihet në çfarë kombinimesh të barnave kanë ndodhur këto reaksione. Janë informuar institucionet gjegjëse për këtë”, tha Gashi.
Kompania “Dreni Pharm” ka autorizim marketingu për distribuim të këtij bari në Kosovë.
KOHA ka kontaktuar me zyrtarë të kësaj kompanie, porse ata nuk kanë pranuar të përgjigjen me arsyetimin se nuk janë të njoftuar ende me vendimin.




