Nga janari deri në qershor në Klinikën e Kardiologjisë në QKUK janë kryer 1382 procedura të stentimit, ndërsa janë vendosur në total 1786 stenta tek pacientët. Gazeta sjellë emrat dhe shifrat e mjekëve që i kryen këto procedura
Në sallën e koronarografisë në Klinikën e Kardiologjisë në QKUK nga janari deri në qershor të këtij viti janë kryer gjithsej 1902 koronarografi, prej të cilave 1382 pacientë janë stentuar. Numri total i stentave të vendosur është 1786 copë, shkruan Gazeta Shneta.
Gazeta ka siguruar raportin zyrtar për shifrat e secilit kardiolog kush sa ka punuar gjatë këtij viti.
Sipas këtij raporti më së shumti stentime ka kryer kardiologu Gani Bajraktari me 128 sosh, i dyti është Artan Ahmeti me 102 ndërsa në vendin e tretë me nga 84 procedura janë Xhevdet Krasniqi dhe Vigan Mahmuti.
Me numër të koronarografive kryeson Artan Ahmeti me 204, Fisnik Basholli me 153, ndërsa Lulzim Bashota me 148 sosh.
Më poshtë gjeni raportin e plotë të klinikës me emrat e mjekëve dhe shifrat për punën e tyre në sallën e koronarografisë gjatë këtij viti.

Kjo klinikë gjatë ditës së sotme është vizituar nga ministri i Shëndetësisë Arben Vitia dhe drejtori i SHSKUK-së Elvir Azizi. Vitia ka thënë se Ministria e Shëndetësisë mbetet e përkushtuar që të përkrahë të gjitha kërkesat që do të shtojnë vëllimin e punës dhe do të rrisin cilësinë e shërbimeve për qytetarët.
Kujtojmë se kjo klinikë ka qenë çështje diskutimesh javëve të fundit për shkak të pretendimit të një kardiologu, Fisnik Veliu, se është goditur fizikisht nga një koleg i tij, Artan Ahmeti. Ky i fundit e kishte mohuar një gjë të tillë. Rasti kishte përfunduar në Komisionin Disiplinor ku Ahmeti dhe Veliu janë gjobitur me heqje të 40 për qind të pagës për 6 muajt e ardhshëm. “Vendim maksimal” për këtë rast kishte kërkuar edhe kryesuesi i Bordit Naim Bardiqi.
Ky rast dhe pakënaqësi të tjera bën që 18 kardiologë të kësaj klinike të nënshkruajnë një peticion për shkarkimin e drejtorit të klinikës Lulzim Kamberi. Për këtë çështje Bordi Drejtues i SHSKUK-së i ka kërkuar drejtorit të përgjithshëm që të formojë një grup vlerësues për këtë situatë. /Gazeta Shneta/





