Mbi 5.4 milionë është vlera e parashikuar e dy tenderëve të iniciuar nga Ministria e Shëndetësisë me procedurë të kufizuar. Nga kjo ministri i kanë thënë Gazetës se kjo procedurë nuk e kufizon konkurrencën e operatorëve ekonomik.
Ministria e Shëndetësisë ka iniciuar tenderët për ndërtimin e Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare në komunën e Istogut dhe Drenasit. Vlera e këtyre tenderëve është mbi 5.4 milionë Euro, shkruan Gazeta Shneta.
MSH ka vendosur që këta dy tenderë t’i iniciojë me Procedurë të kufizuar. Kjo procedurë e rregulluar me Ligjin e Prokurimit Publik Neni 32, nënkupton dy faza: para-kualifikimi dhe faza e tenderimit.

Operatorët ekonomik i dorëzojnë dokumentet në fazën e parë dhe zyrtarët e MSH-së vendosin se cilat prej tyre i plotësojnë kriteret për t’u kualifikuar në fazën e tenderimit.
“Pra, procedura e kufizuar është e njëjte si procedura e hapur, sepse lejon çdo Operatore ekonomik që të dorëzoj dokumentet për parakualifikim dhe vetëm ata operator ekonomik te cilët përmbushin kriteret e përcaktuara në dokumentet e parakualifikimit ftohen që të dorëzojnë ofertat e tyre financiare”, thuhet në një përgjigje të MSH-së për Gazetën.
“Pra, dallimi kryesor është se në procedurën e hapur me një fazë operatorët ekonomik dorëzojnë informacion e përzgjedhjes dhe tenderët në të njëjtën kohë, ndërsa në procedurën e kufizuar OE se pari dorëzojnë informacionin e përzgjedhjes (para-kualifikimi) dhe pastaj AK fton vetëm OE të përzgjedhur për të dorëzuar tenderët”, thuhet në përgjigje.
Tutje nga kjo ministri kanë deklaruar se duke kufizuar numrin e operatorëve në fazën e tenderimit, ulen shpenzimet e Autoritetit Kontraktues. Ndërsa sipas tyre nuk kufizohet konkurrenca.
“Kufizimi në numrin e ofertuesve (fazën e dyte) mund të ndihmoj në shmangien e kostove të panevojshme që ndërlidhen me OE që nuk janë të përgjegjshëm”.
“Kjo procedure është në përputhje me LPP dhe legjislacionin në fuqi dhe nuk ka kufizim te konkurrencës. Për me tepër kjo procedurë e rrit konkurrencën, sepse kjo procedure kërkon që çdo OE i interesuar te dorëzoj vetëm dokumentet e kualifikimit pa implikime financiare”, kanë deklaruar nga Ministria e Shëndetësisë. /Gazeta Shneta/




