Ministria e Shëndetësisë e ka hapur tenderin për furnizim me insulina në vlerë mbi 3.6 milionë Euro për 12 muaj.
Pas përmbylljes së sagës gati dy vjet e gjysmë të tenderit për insulina në mes të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik, një operatori ekonomik dhe Ministrisë së Shëndetësisë, kjo e fundit e ka rihapur tenderin, shkruan Gazeta Shneta.
Tenderi i ri është hapur me kohëzgjatje për 12 muaj dhe është në vlerë 3,634,490.20 Euro.
Me këtë kontratë MSH do të furnizohet me insulina analoge me veprim të shpejtë me sasi 156,335 copë dhe insulina analoge me veprim të gjatë dhe bifazike me veprim të shpejtë dhe të mesëm në sasi 684,435 copë.
Ministria i ka vendosur dy kriteret teknike dhe profesionale për operatorët ekonomik: 1. Duhet të dëshmojnë se janë të autorizuar nga prodhuesi për pjesëmarrje në tender, ose nga zyra përfaqësuese e prodhuesit; dhe 2. Operatori ekonomik duhet të posedoj Autorizim Marketingun në Kosovë me dozën e produkteve të kërkuar.
Këto dy kritere kanë qenë çështja e debatit dhe ankesave në OSHP nga operatorët ekonomik në tenderin paraprak i cili zgjati pothuajse dy vjet e gjysmë.
Krejt në fund u mbyll kur MSH ngriti dyshimet se njëri nga operatorët, kompania “Pharma Leader” kishte dorëzuar një autorizim të falsifikuar nga përfaqësuesi i prodhuesit. Për këto dyshime njoftuan dy krerët e MSH-së, ministri Arben Vitia dhe Sekretari Naim Bardiqi. Ata thanë se e kanë denoncuar rastin në Policinë e Kosovës.
Pas kësaj operatori ekonomik nuk ushtroi më ankesë kundër vendimit të MSH-së për anulimin e tenderit, dhe si rezultat u përmbyll saga. Për këtë tender u shkarkua edhe një anëtare e OSHP-së, Kimete Gashi, nga Kuvendi i Kosovës. /Gazeta Shneta/




