Kardiologët e SHSKUK-së e kanë ‘pushtuar’ kryeqytetin e Holandës, Amsterdamin, i cili ndryshe njihet edhe si qytet i qejfit. Mjekët kanë udhëtuar për të marr pjesë në kongresin e Shoqatës Evropiane të Kardiologëve.
Dhjetëra kardiologë nga QKUK dhe spitalet e përgjithshme të SHSKUK-së, i kanë lënë repartet dhe sallat e operacionit që nga dje dhe kanë udhëtuar për në Amsterdam, kryeqytetin e Holandës i cili ndryshe njihet edhe si qytet i qejfit, shkruan Gazeta Shneta.
Disa me leje nga drejtoria e SHSKUK-së e disa të tjerë pa leje siç ka mësuar Gazeta, që nga dje po qëndrojnë në Amsterdam ku po mbahet kongresi i Shoqatës Evropiane të Kardiologëve.
Drejtori i klinikës së Kardiologjisë në QKUK, Dr. Lulzim Kamberi, ka thënë se i ka aprovuar të gjitha kërkesat e kolegëve të tij për të marr pjesë në këtë kongres.

“Menaxhmenti i klinikes ka shqyrtuar secilen kerkese individuale te kolegeve ne raport me arsyeshmerine e pjesemarrjes ne Kongres dhe ne kete menyre ka aprovuar kerkesat e secilit vec e veç”, ka deklaruar Kamberi.
Megjithatë drejtoria e SHSKUK-së nuk i është përgjigjur Gazetës nëse është dhënë aprovimi edhe nga ta për pjesëmarrjen e mjekëve në ngjarje të tilla të edukimit të vazhdueshëm profesional.
Kamberi nuk ka treguar sa mjekë kanë mbetur në klinikë, por ka thënë se janë mjaftueshëm për të vazhduar puna.
“Mjaftueshem paraprakisht jane ndermarrur te gjitha masat e organizimit te punes ne klinike, ne menyre qe te mos cenohet mbarevajtja e punes (perfshire ketu edhe specialomizantet, numri i te cileve eshte shtuar per keto dite)”, ka deklaruar Kamberi.
“Mjeket qe nuk marrin pjese ne kongres kane shtuar angazhimin per ti kryer obligimet baze, per dy dite, kur me shume mjeke mungojne nga puna. Orari per t’i mbuluar angazhimet eshte perpiluar me kohe”, ka thënë ai.
Kjo nuk është hera e parë që klinikat e QKUK-së zbrazen nga mjekët me arsyetimin për të marr pjesë në kongrese apo ngjarje të tjera nëpër vende të ndryshme të botës.
Gazeta më parë ka raportuar se si kompani të caktuara të barnave kanë financuar udhëtimet e mjekëve në këto vende. Madje shpesh këto udhëtime janë bërë për pushime. /Gazeta Shneta/




