Gati një e treta e kirurgeve femra në Britani janë sulmuar seksualisht nga një koleg në pesë vitet e fundit, sipas një studimi të publikuar të martën dhe të përshkruar si një “MeToo moment” për kirurgji.
Studimi, në “British Journal of Surgery”, raporton rezultatet që “tregojnë se ngacmimi seksual dhe sulmi seksual mund të jenë të zakonshme në mjedisin kirurgjik në Mbretërinë e Bashkuar”.
Duke analizuar mbi 1,400 përgjigje në një anketë anonime midis anëtarëve të fuqisë punëtore kirurgjikale në Mbretërinë e Bashkuar, studimi zbuloi se 29.9 përqind e grave raportuan se ishin sulmuar seksualisht nga një koleg gjatë pesë viteve të fundit krahasuar me 6.9 përqind të burrave, shkruan Medical Xpress përcjell Gazeta Shneta.
Sondazhi tregoi gjithashtu se 63.3 për qind e grave të anketuara thanë se kishin përjetuar ngacmime seksuale nga kolegët ashtu si 23.7 për qind e burrave.
“Këto gjetje tregojnë se gratë dhe burrat në fuqinë punëtore kirurgjikale po jetojnë realitete të ndryshme. Për gratë, të qenit pranë kolegëve më shpesh do të thotë të dëshmosh dhe të jesh objektiv i sjelljes së keqe seksuale,” zbulon studimi i ri.
Sipas anketës, afër 90 për qind e grave dhe 81 për qind e burrave thanë se kishin qenë dëshmitarë të ngacmimeve seksuale midis kolegëve gjatë periudhës pesëvjeçare.
Tamzin Cuming, kryetare e Forumit të Grave në Kirurgji në Kolegjin Mbretëror të Kirurgëve të Anglisë, tha se kjo “përfaqëson një moment MeToo për kirurgji”.
“Tani puna e vërtetë duhet të fillojë për të sjellë një ndryshim të thellë në kulturën e kujdesit shëndetësor,” shkroi Cuming për Gazetën “The Times”. /Gazeta Shneta/


