Pas rrjedhjes së ujit në bllokun kirurgjik në QKUK për shkak të dëmtimit të gypave të ujit, SHSKUK ka thënë se sallat e operacioneve do të rikthehen në punë pasi të merren masat higjienike-sanitare.
Një shpërthim i një gypi të ujit gjatë punimeve për renovimin e Klinikës së Neurokirurgjisë në QKUK javën e kaluar, shkaktoi rrjedhje të ujit në të gjitha katet e bllokut kirurgjik duke përmbytur të gjitha sallat e operacioneve, shkruan Gazeta Shneta.
Kjo situatë ka kolapsuar të gjithë bllokun kirurgjik dhe si rrjedhojë është reduktuar numri i operacioneve. Aktualisht Klinika e Neurokirurgjisë po kryen operacione në sallën e Klinikës së Maksillës; Kirurgjia Abdominale në ORL; Torakalja në Spitalin Kirurgjik të Fëmijëve; Vaskularja dhe Urologjia janë zhvendosur në Ortopedi, ndërsa Kirurgjia Plastike në Gjinekologji.
Nga SHSKUK kanë thënë se së shpejti do të rikthehen sallat e operacionit në gjendje të rregullt, duke zbatuar masa të plota higjenike-sanitare.
Tutje, SHSKUK-u ka bërë të ditur se Inspektorati Sanitar do të përfshihet në vlerësimin final të gjendjes së sallave të operacionit, për të siguruar zbatimin e standardeve të nevojshme të sigurisë.
“Ju informojmë se ShSKUK do të ndërmarrë të gjitha masat e parapara higjienike-sanitare për të rikthyer sallat e operacionit në gjendje të rregullt. Poashtu, Inspektorati Sanitar do të jetë i përfshirë në vlerësimin final të gjendjes. Javën e kaluar është bërë një riorganizim i sallave të operacionit në klinikat tjera, në pajtim të plotë ndërmjet drejtorëve të klinikave.”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.
Nga SHSKUK nuk kanë treguar nëse po bëhet vlerësim i dëmeve dhe nëse janë dëmtuar pajisjet mjekësore të cilat gjenden në sallat e operacionit.
Në komunikatën e fundit të SHSKUK-së, kanë treguar se janë marrë masat adekuate që situata të tejkalohet pa vonesa të mëdha, duke kërkuar mirëkuptim. /Gazeta Shneta/




