Stimulimi elektrik jo-invaziv dy herë në ditë i trurit mund të nxisë proceset mendore (funksioni njohës) te njerëzit me sëmundjen Alzheimer, sugjerojnë rezultatet e një hulumtimi të vogël klinik të botuar në revistën me akses të hapur “General Psychiatry”.
Teknologjia, e njohur si stimulimi i rrymës direkte transkraniale, ose shkurt tDCS, mund të ndihmojë në ndezjen e plasticitetit të trurit, duke mundësuar ‘rilidhjen’ përmes formimit të rrjeteve të reja nervore sugjerojnë gjetjet e reja, shkruan Medical Xpress përcjell Gazeta Shneta.
tDCS vjen në formën e një pajisjeje me dy elektroda, të vendosura mbi zona specifike të kokës së një personi, të cilat japin një rrymë elektrike konstante me intensitet të ulët. Ka filluar të përdoret në shumë fusha të mjekësisë, duke përfshirë trajtimin e depresionit.
Studiuesit donin të zbulonin nëse tDCS mund të përmirësonte funksionin njohës te njerëzit me sëmundjen Alzheimer, dhe nëse po, si kjo mund të lidhet me rikuperimin e plasticitetit kortikal – kapacitetin e trurit për të formuar rrjete të reja nervore.
Rreth 140 pacientë me sëmundje të butë deri në mesatare të Alzheimerit nga katër spitale të ndryshme u ndanë në mënyrë rastësore për të marrë ose dy seanca ditore të rrymës aktive ose tDCS të rreme, për pesë ditë të javës për një periudhë maksimale prej gjashtë javë.
Rrymat u aplikuan në korteksin prefrontal, rajoni i trurit i përfshirë në aktivitete të nivelit më të lartë, të tilla si planifikimi, vendimmarrja, kujtesa e punës, moderimi i sjelljeve sociale dhe kontrolli i disa aspekteve të të folurit dhe gjuhës.
Rezultatet treguan se pas dy javësh nuk kishte asnjë ndryshim në asnjërin grup, por krahasuar me bazën, 30 seanca ditore 20-minutëshe të tDCS përmirësonin ndjeshëm funksionin njohës të atyre në grupin tCDS, veçanërisht rikujtimin e fjalëve të tyre, rikujtimin e udhëzimeve të testit, dhe njohja e fjalëve. Nuk u panë përmirësime të tilla në grupin kontrollues.
Rezultatet treguan gjithashtu se tek njerëzit me sëmundjen e Alzheimerit, plasticiteti i kortikaleve është i dëmtuar, por kjo u përmirësua pas gjashtë javësh me tDCS.
Studiuesit pranojnë kufizime të ndryshme në gjetjet e tyre, duke përfshirë madhësinë e vogël të studimit, mungesën e MRI ose skanimeve elektroencefalografike për të shënuar ndryshimet në strukturën e trurit dhe mungesën e lëngut cerebrospinal dhe mostrave të gjakut për të monitoruar ndryshimet e neurotransmetuesve.
Por ata megjithatë arrijnë në përfundimin se:”Rezultatet e këtij studimi tregojnë fuqishëm se trajtimi tDCS është një ndërhyrje domethënëse dhe premtuese për përmirësimin e funksionit njohës në [sëmundjen e Alzheimerit]. Përveç kësaj, plasticiteti luan një rol jetik në ndryshimet njohëse”./Gazeta Shneta/


