Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka folur për sfidat e shumta që po ballafaqohet shëndetësia kosovare. Ai tha se shëndetësia është një sektor kompleks, derisa theksoi se procesi i reformimit është tejet i rëndësishëm dhe i pa kthyeshëm.
Vitia më tej deklaroi se përgjatë viteve të shkuara intervenime të pjesshme nuk kanë rezultuar produktive, nuk kanë dhënë efektin e duhur.
“Prandaj jemi të përcaktuar për një reformë të pakthyeshme për të vendosur standarde të një reforme të pakthyeshme bazuar në analizë, në evidencë, që ky proces të jetë i pakthyeshëm”, deklaroi ministri Vitia.
Ai tutje ka folur për migrimin e mjekëve, ku sipas tij, është një trend edhe në vendet tjera jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë, derisa shtoi se deri në miratimin e Ligjit për paga, ikja e mjekëve ka qenë e kuptueshme.
“Me Ligjin e pagave, profesionistët shëndetësorë janë ata që përfituan më së shumti, një mjek specialist, bazuar jo vetëm në rrogën bazë, por me shtesa e kujdestari, rrallë ndonjë mjek specialist, sidomos në institucionet sekondare e terciare ka rrogën nën 2000 euro”, deklaroi Vitia në RTK.
Ai tha se kjo është një nga iniciativat kryesore që do të parandalohet migrimi i mjekëve.
Vitia më tej foli për ndërtimin e sistemit shëndetësor, sipas tij, në disa dimensione ku e para është sigurimi shëndetësor i detyrueshëm për të gjithë qytetarët e vendit, i paraprirë nga sistemi informativ shëndetësor, si dhe në masat parandaluese të shëndetit publik. Ai premtoi se në gjysmën e parë të vitit 2024 do të jetësohet sistemi informativ shëndetësor, prej nga do të pasohet me fondin për sigurime shëndetësore.
Ai më tej foli për vdekshmërinë e foshnjave, ku mohoi në saktësinë se vdekshmëria është në 16 promil. Sipas tij, vdekshmëria e foshnjave është rreth 7 promil.
Vitia foli edhe për aspekte të parandalimit të sëmundjeve, ndërsa përmendi kalendarin e vaksinimit, ku tha se është pesëfishuar buxheti për vaksina, si dhe parandalimin në disa sëmundje.
Ai përmendi se rreth 10 milionë investime kanë ndodhur në klinika të ShSKUK-së.
Ministri Vitia ftoi ish-ministrin e Shëndetësisë, deputetin nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj, që të vizitojë klinikat në ShSKUK-së e të shikojë gjendjen në të cilën ndodhet tani ky institucion shëndetësor.
Vitia tha se në mbledhjen e radhës të qeverisë do të procedohet edhe statuti i ri i ShSKUK-së, ku QKUK-ja do të jetë identitet më vete.




