Deformitetet e shputave kanë rëndësinë më të madhe për përcaktimin e aftësis funksionale të aparatit lokomotor të këmbës.
Te 60% e popullsisë hasen në këto deformitete të shprehura në shkallë të vogël ose të madhe. Për këtë gjendje llogaritet se shkaktar është kujdesi i pamjaftueshëm i pamjes dhe përkujdesjes së shputave në moshën e hershme fëmirore. Duke marrë parasysh se shputa është bartës i peshës së trupit, deformiteti i saj e qrregullon statikën e tërë nyjeve të ekstremiteteve të poshtme.
Deformiteti i shprehur më i shpeshtë i shputës së këmbës është: Shputa e rrafshët – Pes planus , kurse llojet tjera të deformiteteve të shputave janë :
- pes varus
- pes ekvuinus ose pes balerinus
- pes kalkaneus
- pes kavus
- pes ekuinovarus
Shputa e rrafshët (e lëshuar)
Shputa e rrafshët është ndër shkaqet më të shpeshta pse femiu paraqitet në vizitë ortopedike dhe nënkupton çdo shputë e cila harkun gjatësor e ka pak a shumë të lëshuar.
Metodë praktike e përdorshme është kategorizimi i këtyre deformiteteve me atë që kanë shputën e rrafshët fleksibile apo jofleksibile, pastaj në atë se e kanë shputën e dhembshme ose jo të e dhembshme.
Gjatë zhvillimit normal të shputës te femiu shputa duket e rrafshët, ndonëse kanë të zhvilluar harkun gjatësor të shputës, i cili është maskuar me shtresën e indit dhjamor.
Për shkak të zhvillimit jo të duhur të refleksit të qëndrimit, femiu qendron dhe hecë në bazën e gjërë, gjatë së cilës është i shprehur valgusi i pjesës së pasme të shputës. Mirëpo më vonë ekuilibri përmirësohet, fuçia e muskujve të kërcirit dhe shputës forcohet, ecja bëhet më normale, kurse indi dhjamor tërhiqet dhe harku gjatësor i shputës bëhet gjithnjë e më i pranishëm.
Terapia fizikale
Trajtimi i këmbës dystaban tek fëmija mund të jetë konservativ ose kirurgjikal.
Trajtimi Konservativ
Trajtimi konservativ përbëhet nga terapia fizikale dhe përdorimi i mjeteve ortopedike. Te fëmijët me Pes planus, mjekimi bëhet me anë të kinezioterapisë dhe masazhit.
Përdorimi i shtojcave ortopedike korrektuese është shumë i rëndësishëm pasi edhe në ato raste kur deformiteti nuk arrihet të korrigjohet ato ushtrojnë një shtytje pasive duke e detyruar këmbën të mbajë një qëndrim postural korrekt.
Kjo eviton krijimin e dis-ekuilibrave të skeletit të artikulacioneve të tjera të trupit (sidomos gjurit, kokso – femoralit, shtyllës kurrizore) duke e trasformuar kështu këmbën në një pozitë optimale shumë të rëndësishme për një organizëm dhe ritje të vazhdueshme siç është ai i fëmijës.
Trajtimi Kirurgjikal
Tek fëmijët e moshës 11-12 vjeç me këmbët dystaban të gradës 3-4, me valgizëm të theksuar të pjesës së mbrapme të këmbës , të cilët vizitohen tek specialisti ortoped për herë të parë ose tek të cilet trajtimi me plantarë nuk ka dhënë rezultat, tek këto raste është sigurisht i këshillueshëm trajtimi kirurgjikal.


