Close Menu
Gazeta ShnetaGazeta Shneta
  • Lajme
  • Teknologji
  • Mjeku juaj
  • Këshilla për shtatzëna
  • Femina
  • Jetë
  • Publikime
  • Psikologji
  • Logopedi
  • Fizioterapi
Facebook X (Twitter) Instagram
Facebook X (Twitter) YouTube
Gazeta ShnetaGazeta Shneta
  • Lajme
  • Teknologji
  • Mjeku juaj
  • Këshilla për shtatzëna
  • Femina
  • Jetë
  • Publikime
  • Më shumë
    • Psikologji
    • Logopedi
    • Fizioterapi
Gazeta ShnetaGazeta Shneta

Vaksina kundër Human Papilloma Virusit dhe aplikimi i saj në Kosovë, shkruan Dr. Faik Hoti

Lajme 11/01/2024
Facebook WhatsApp Twitter LinkedIn Reddit Email Telegram
Shpërndaje
Facebook WhatsApp Twitter LinkedIn Email Telegram

Shkruan Dr. Faik Hoti, Specialist i Shëndetësisë Publike /Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës

Imunizimi është një nga ndërhyrjet kryesore për mbrojtjen e popullatës nga sëmundjet serioze infektive të parandalueshme përmes vaksinimit. Si një komponent kyç i kujdesit shëndetësor, vaksinimi, është një e drejtë e padiskutueshme e njeriut.

Plani i imunizimit në Kosovë 2022-2025 që për objektiv strategjik ka ruajtjen dhe përparimin e shëndetit të popullatës përmes vaksinimit të rregullt të fëmijëve si dhe imunizimit me vaksina sipas indikacioneve epidemiologjike dhe trafikut ndërkombëtar, nga ky vit ka sjellë risi në Programin e Zgjeruar të Imunizimit. Pjesë e këtij programi tashmë janë edhe tre vaksina të tjera:  Vaksina HPV (Vaksina kundër Human Papilloma Virusit), Rota Vaksina (Vaksina kundër Rotavirusit) dhe Vaksina kundër Pneumokokut.

Përfshirja e këtyre vaksinave në Kalendarin e rregullt të vaksinimit synon të ul sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë nga sëmundjet si: kanceri i qafës së mitrës, infeksionet me Rotavirus te fëmijët dhe sëmundjet e ndryshme që shkaktohen nga tipa të ndryshëm të pneumokokut si pneumonia, meningjiti, sepsa, infeksionet e veshit, sinusitet, infeksionet e gjakut, etj.

Futja në Kalendarin e rregullt të vaksinimit e këtyre tre vaksinave, nuk e garanton vetvetiu suksesin e vaksinimit me to, prandaj roli i komunitetit mjekësor është kritik dhe vendimtar në informimin për këto vaksina, me theks të veçantë për vaksinën kundër HPV, për ndërgjegjësimin e prindërve, dhe vajzave të reja për sigurinë, efikasitetin dhe rëndësinë e marrjes së kësaj vaksine.

Çka është HPV

Human Papilloma Virusi është infeksioni viral më i shpeshtë i organeve riprodhuese tek gratë dhe burrat. Shumica infektohen me HPV gjatë jetës së tyre, megjithëse ata mund të mos e dinë këtë dhe mund të mos shfaqin ndonjë simptomë të infeksionit. Infeksioni zakonisht kalon vetvetiu, por ndonjëherë mund të zgjas dhe, me kalimin e kohës të shkaktojë sëmundjen e kancerit. Infeksioni i vazhdueshëm me HPV me rrezik të lartë mund të shkaktojë zhvillimin e qelizave jo-normale, të cilat shkojnë në kancer. Nëse nuk trajtohet, shkakton 95% të kancereve të qafës së mitrës. Në mënyrë tipike, duhen 15-20 vjet që qelizat jo-normale të kalojnë në kancer, por te gratë me sistem imunitar të dobësuar, siç është HIV-i i pa-trajtuar, ky proces mund të jetë më i shpejtë dhe të zgjasë 5-10 vjet. Faktorët e rrezikut për përparimin e kancerit përfshijnë shkallën e onkogjenitetit të tipit HPV, statusin imunitar, praninë e infeksioneve të tjera seksualisht të transmetueshme, numrin e lindjeve, moshën e re në shtatzëninë e parë, përdorimin e kontraceptivëve hormonalë dhe pirjen e duhanit. Kanceri i qafës së mitrës është kanceri më i shpeshtë i cili ndërlidhet me HPV-në, por gjithashtu ky virus është përgjegjës edhe për kancerin e vulvës, vaginës, penisit, anusit dhe kancerin e pjesës së pasme të fytit, duke përfshirë bazën e gjuhës dhe bajamet. HPV, gjithashtu mund të shkaktojë lytha gjenitale.

Epidemiologjia

Për të mbrojtur gratë nga efektet serioze të kancerit të qafës së mitrës, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) rekomandon vaksinimin e adoleshentëve ndaj HPV-së, teste të rregullta të skriningut për kancerin e qafës së mitrës dhe trajtimin cilësor të tij.

Në Kosovë, kanceri i organeve gjenitale femërore (C-51-C58), paraqet kancerin e dytë më të shpeshtë në mesin e kancereve te femrat dhe të katërtin për nga shpeshtësia në mesin e të gjitha grupeve të kancereve.

Sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, bazuar në Analizën e gjendjes shëndetësore të popullatës dhe në Raportin e sëmundjeve malinje, gjatë vitit 2021 në Kosovë janë regjistruar 361 (21.2%) raste të tumoreve malinje te organet gjenitale të femrave apo 11.1% të gjitha rasteve të tumoreve malinje të regjistruara.

Incidenca e lartë e sëmundjeve malinje të organeve gjenitale te femrat e bën të domosdoshme dhënien e vaksinës kundër HPV te vajzat e reja, me qëllim të parandalimit të kancerit të qafës së mitrës.

Në Kosovë, vaksina kundër HPV si pilot projekt ka filluar më 2023 me një numër prej 300 dozave, derisa gjatë vitit 2024, vaksinimi do të zhvillohet përmes klasave të VI-ta të shkollave fillore në bashkëpunim midis autoriteteve shëndetësore dhe atyre arsimore. 5000 doza të vaksinës kundër HPV do të jenë në dispozicion për vajzat e klasave të gjashta, derisa synimi është që programi të zgjerohet dhe të sigurojë vaksina për të gjitha vajzat e moshës 9-14 vjeçe.

Vaksinimi

OBSH i rekomandon vaksinat kundër HPV si pjesë të Kalendarit të rregullt të vaksinimit në të gjitha vendet, së bashku me masat e tjera parandaluese.

Vaksina e parë HPV në kontinentin evropian u bë e disponueshme në vitin 2006. Në nivel global, 126 vende të botës, përfshirë këtu edhe Kosovën, e kanë përfshirë vaksinën kundër HPV në kalendarin e tyre kombëtar të vaksinimit të rregullt për vajzat, derisa në 47 vende të ndryshme të botës, kjo vaksinë jepet edhe për djemtë. Vaksina kundër HPV është pjesë e listës së barnave esenciale të OBSH dhe vaksinave të para-kualifikuara.

Në mënyrë specifike rekomandohet vaksinimi kundër HPV i vajzave të moshës nëntë (9) deri në katërmbëdhjetë (14) vjeç, përpara se ato të bëhen seksualisht aktive. Vaksina HPV administrohet te kjo grup-moshë në 1-2 doza varësisht prej udhëzimeve të shteteve që e aplikojnë. Disa vende kanë zgjedhur gjithashtu, të vaksinojnë djemtë për të reduktuar më tej prevalencën e HPV në komunitet dhe për të parandaluar kanceret te meshkujt të shkaktuar nga HPV.

Në dhjetor 2022, OBSH ka rekomanduar orarin për vaksinat:

  • Një orar me një ose dy doza për vajzat e moshës 9-14 vjeç
  • Një orar me një ose dy doza për vajzat dhe gratë e moshës 15-20 vjeç
  • Dy doza me një interval 6-mujor për gratë mbi 21 vjeç.

Një minimum prej 2 dozash dhe kur është e mundur 3 doza mbeten të nevojshme për ata që dihet se janë me imunitet të kompromentuar dhe/ose të infektuar me HIV.

Efektiviteti i vaksinës

Që nga viti 2023, ka 3 vaksina të zhvilluara dhe të licencuara kundër HPV në dispozicion globalisht: vaksina bivalente,  katër valente dhe nëntë valente. Në Kosovë përdoret vaksina katër valente kundër HPV.

Të dhënat nga provat klinike dhe mbikëqyrja tregojnë se vaksinat HPV janë të sigurta. Studimet klinike kanë treguar se vaksinat HPV janë shumë efektive në parandalimin e infeksionit të qafës së mitrës me llojet e HPV-së që ata synojnë kur jepen përpara ekspozimit të parë ndaj virusit – domethënë, përpara se individët të fillojnë të përfshihen në aktivitet seksual. Vaksinat HPV janë gjetur gjithashtu se reduktojnë infeksionet në inde të tjera që HPV infekton, duke përfshirë anusin dhe rajonin oral.

Ashtu si imunizimet e tjera që mbrojnë kundër infeksionit viral, vaksinat HPV stimulojnë trupin të prodhojë antitrupa që, në takimet e ardhshme me HPV, lidhen me virusin dhe e parandalojnë atë nga infektimi i qelizave. Vaksinat nuk parandalojnë sëmundje të tjera seksualisht të transmetueshme, as nuk trajtojnë infeksionet ekzistuese HPV ose sëmundjet e shkaktuara nga HPV.

Një studim tek gratë e moshës 20-29 vjeç në një rajon të SHBA-së zbuloi se brenda rreth 10 viteve nga futja e vaksinës, prevalenca e llojeve të HPV-së të synuara nga vaksina u ul si te gratë e vaksinuara ashtu edhe te ato të pa vaksinuara, duke ofruar dëshmi të mbrojtjes së drejtpërdrejtë dhe përmes “imunitetit të tufës”.

Vaksinimi i përhapur kundër HPV ka potencialin të reduktojë incidencën e kancerit të qafës së mitrës në mbarë botën deri në 90%. Për më tepër, vaksinat mund të zvogëlojnë nevojën për ekzaminim dhe kujdes mjekësor të mëvonshëm, biopsi dhe procedura invazive  të lidhura me ndjekjen nga depistimi jonormal i qafës së mitrës, duke ndihmuar në uljen e kostove të kujdesit shëndetësor.

Siguria e vaksinave

Më shumë se 12 vjet të monitorimit të sigurisë tregojnë se vaksinat nuk kanë shkaktuar efekte anësore serioze. Problemet më të zakonshme kanë qenë dhimbja e shkurtër dhe simptoma të tjera lokale në vendin e injektimit. Këto efekte janë të ngjashme me ato që hasen zakonisht te dhënia e vaksinave të tjera.

FDA dhe CDC kryen një rishikim sigurie të efekteve anësore të padëshiruara që lidhen me imunizimin me vaksinën HPV. Shkalla e efekteve anësore ishte në përputhje me atë që u pa në studimet e sigurisë të kryera përpara miratimit të vaksinës dhe ishin të ngjashme me ato të vërejtura me vaksinat e tjera. Rishikimi më i fundit i të dhënave të sigurisë për vaksinat HPV vazhdon të tregojë se këto vaksina janë të sigurta.

Në Kosovë është themeluar Komiteti për përcjelljen e efekteve të padëshiruara të çdo vaksine që administrohet, dhe ky komitet do ta bëjë monitorimin e këtyre efekteve edhe te administrimi i vaksinës kundër HPV në nivel shteti.

Burimet

  1. IKSHPK, Analiza e gjendjes shëndetësore të popullatës, 2021
  2. IKSHPK, Raporti i sëmundjeve malinje në Kosovë, 2021
  3. MSh, Plani i Veprimit për Vaksinim (2022-2025), dhjetor 2022
  4. WHO, Cervical cancer: www.who.int/news-room/fact-sheets/detail/cervical-cancer
  5. WHO, Updates recommendetions on HPV Vaccination Schedule: who.int/news/item/20-12-2022-
  6. WHO-updates-recommendations-on-HPV-vaccination-schedule
  7. UNICEF, Human papillomavirus (HPV) vaccine: unicef.org/supply/reports/human-papillomavirus-hpv-vaccine-supply-and-demand-update
  8. Centers for Disease Control and Prevention, HPV Vaccine: www.cdc.gov/vaccines/vpd/hpv/hcp/vaccines.html
  9. National Cancer Institute, Human Papillomavirus (HPV) Vaccines: cancer.gov/about-cancer/causes-prevention/risk/infectious-agents/hpv-vaccine
Artikulli paraprakMSh nis procedurën 120 mijë euroshe për ri projektimin e Spitalit të Ferizajt, kërkohet rishikimi i sigurisë së objektit
Artikulli i rradhës Studim: Testi i ri i gjakut premtues për zbulimin e 18 llojeve të kancerit

Ju sugjerojmë

Shkelje të rënda të kushteve të punës, Inspektorati mbyll 6 kantiere ndërtimi në Fushë Kosovë dhe Prishtinë

22/07/2026 Lajme

Komunat kërkojnë ndihmë urgjente pas stuhisë: Dëmet mbi 1 milion euro në Suharekë, shtatë shkolla të dëmtuara në Malishevë

22/07/2026 Lajme

Mbi 30 të lënduar nga stuhia në Shkup, disa me lëndime më serioze

22/07/2026 Lajme

Zvicra nuk ndjek shembullin gjerman: vazhdon shitja e alkoolit në stacionet hekurudhore

22/07/2026 Lajme

“Microsoft” u ka mundësuar punëtorëve tri ditë pushim në javë, produktiviteti është rritur për 40%

22/07/2026 Lajme

Mbi 4,100 të infektuar nga shpërthimi i parazitit Ciklospora në ShBA

22/07/2026 Lajme
Na ndiqni
  • Facebook
  • Twitter
  • Instagram
  • YouTube
Rreth nesh
Rreth nesh

Gazeta Shneta është produkt medial që i kushtohet vetëm shëndetësisë.

Këshillat mjekësore të postuara nga Gazeta Shneta janë të natyrës edukative.

Kontakt

Pronari i medias: Bujar Vitija

Redaktore: Diana Basholli

Email: [email protected]

Adresa: Rr. Vicianum, Prishtinë, pn.

Marketing

Email: [email protected]

Tel: +383 44 701 781

Përmbajtja

Gazeta Shneta është e hapur ndaj partnerëve të marketingut.

Linqe

Privacy Policy

Facebook X (Twitter) Instagram YouTube
© 2026 Gazeta Shneta

Shkruani fjalën dhe klikoni Search/Enter për të kërkuar. Klikoni X për ta anuluar.