Një studim i ri zbulon se shumë pak pacientë të diagnostikuar me diabet të tipit 2 janë në gjendje të arrijnë nivele normale të glukozës në gjak vetëm përmes humbjes së peshës.
Një ekip i udhëhequr nga Andrea Luk i Universitetit Kinez të Hong Kongut, raporton këto gjetje në revistën me akses të hapur “PLOS Medicine”.
Provat klinike sugjerojnë që njerëzit me diabet të tipit 2 mund të kontrollojnë nivelet e glukozës në gjak pa mjekim nëse humbin peshë dhe e mbajnë atë. Megjithatë, nuk dihet se sa pacientë mund të arrijnë remisionin vetëm përmes humbjes së peshës në kushte të botës reale, shkruan Medical Xpress përcjell Gazeta Shneta.
Në studimin e ri, studiuesit shikuan 37,326 njerëz në Hong Kong, të cilët ishin diagnostikuar rishtazi me diabet të tipit 2, për të parë nëse pacientët mund ta kontrollonin sëmundjen përmes humbjes së peshës dhe jo për një kohë të gjatë.
Studiuesit zbuluan se vetëm 6% e njerëzve arritën remisionin e diabetit vetëm nëpërmjet humbjes së peshës rreth tetë vjet pas diagnozës.
Këto norma janë dukshëm më të ulëta se në provat klinike, ku remisioni ka ndodhur deri në 73% të pacientëve në një vit pas diagnozës. Njerëzit me humbjen më të madhe të peshës në vitin e parë kishin më shumë gjasa të kishin remision të qëndrueshëm.
Studimi tregon se kontrolli i diabetit të tipit 2 përmes humbjes së qëndrueshme të peshës është i mundur në mjediset e botës reale, por se pak pacientë do të arrijnë nivele normale të glukozës në gjak vetëm përmes menaxhimit të peshës, veçanërisht në afat të gjatë. Një arsye për mospërputhjen me provat klinike është se pjesëmarrësit e provës marrin ndërhyrje intensive të stilit të jetesës, duke përfshirë mbështetjen e plotë për ndryshimet dietike, ushtrimet fizike dhe shëndetin mendor.
Studiuesit arrijnë në përfundimin se pacientët duhet të marrin ndërhyrje të hershme të menaxhimit të peshës si një mënyrë për të rritur shanset që ata të arrijnë remisione të qëndrueshme. Për më tepër, të dhënat sugjerojnë se ndërhyrjet e hershme të menaxhimit të peshës rrisin shanset për remision të qëndrueshëm dhe se ndryshimet e qëndrueshme të stilit të jetesës ka të ngjarë të jenë thelbësore. /Gazeta Shneta/


