Një studim i fundit nga Universiteti i Newcastle dhe Teesside ka zbuluar lidhjen midis konsumit të pijeve energjike dhe çrregullimeve të shëndetit mendor tek fëmijët. Në bazë të rezultateve të hulumtimit, konsumimi i pijeve energjike ka tendencë të rrisë rrezikun e shfaqjes së çrregullimeve të shëndetit mendor si ADHD, depresion, ankth dhe mendime për vetëvrasje te fëmijët.
Pijet energjike përmbajnë kafeinë dhe stimulues të tjerë, të cilët mund të kenë një efekt negativ në trurin dhe shëndetin e fëmijëve. Në studimin e kryer, shkencëtarët analizuan të dhënat nga 57 studime të ndryshme, duke përfshirë informacionin për mbi 1.2 milionë fëmijë dhe të rinj nga më shumë se 21 vende, shkruan New York Times, transmeton Gazeta Shneta.
Rezultatet e studimit treguan se konsumimi i pijeve energjike kishte lidhje me pasoja të dëmshme për shëndetin mendor dhe fizik të fëmijëve. Këto rezultate kanë shtyrë organizatat shëndetësore britanike dhe studiuesit të kërkojnë ndalimin e shitjes së pijeve energjike për fëmijët nën moshën 16 vjeç.
Kjo thirrje për ndalim bazohet në gjetjet e këtij studimi dhe synon të mbrojë shëndetin e fëmijëve duke kufizuar konsumin e pijeve që mund të kenë ndikim negativ në zhvillimin e tyre shëndetësor dhe mendor./Gazeta Shneta/


