Mund të duhet një kombinim trajtimesh për të frenuar aknet problematike tek adoleshentët dhe të rriturit, sugjerojnë udhëzimet e përditësuara nga Akademia Amerikane e Dermatologjisë (AAD).
Udhëzimet për gjendjen shumë të zakonshme (aknet prekin 85% të adoleshentëve dhe shumë të rritur) dhe nuk kanë pësuar një rishikim që nga viti 2016, shkruan burimi Health Day përcjell Gazeta Shneta.
Përditësimet e vitit 2024 përfshijnë “diskutimin e medikamenteve të reja aktuale, të cilat aplikohen drejtpërdrejt në lëkurë, dhe trajtimet sistematike, të cilat merren nga goja”, shpjegoi Dr. John Barbieri, bashkëkryetar i grupit punues për udhezime rreth akneve të Akademisë Amerikane të Dermatologjisë.
Përditësimet e reja janë të gjitha të bazuara në hulumtime klinike, me gjithsej 18 rekomandime.
Katër artikuj binin nën titullin “rekomandim i fortë” i udhëzimeve:
– Përdorimi i kremrave me peroksid benzoil për të frenuar sasinë e baktereve të lidhura me aknet në lëkurë.
– Përdorimi i kremrave me retinoid si adapaleni, tretinoina, tazaroteni dhe trifaroteni, për të ndihmuar në pastrimin e poreve dhe uljen e inflamacionit.
– Antibiotikët oralë si doksiciklina, si dhe kremrat me antibiotikë, për të ndihmuar gjithashtu në uljen e niveleve të baktereve dhe inflamacionit.
– Përdorimi i kombinuar, sipas nevojës i produkteve të lartpërmendura.
Akademia Amerikane e Dermatologjisë gjithashtu kishte pesë rekomandime për “praktikë të mirë” për dermatologët kur trajtojnë aknet:
– Udhëzimet këshillojnë “kombinimin e llojeve të ndryshme të trajtimit, pasi kjo mund të çojë në rezultate më të mira”.
– Përdorni antibiotikët me masë, sepse përdorimi i tepërt mund të shkaktojë shtame rezistente të baktereve.
– Përdorimi i peroksidit të benzoilit së bashku me një antibiotik mund të zvogëlojë rrezikun e rezistencës.
– Pacientët që vuajnë nga gungat më të mëdha të akneve mund të kenë nevojë për terapi me kortikosteroide të injektuara për të lehtësuar më shpejt inflamacionin dhe dhimbjen.
– Njerëzit me akne të rënda që kanë dështuar në trajtimin me kremrat dhe tabletat e përmendura më sipër mund të kenë nevojë për trajtim me izotretinoin (emri i markës Accutane).
Së fundi, udhëzimet përfshijnë ato që Akademia Amerikane e Dermatologjisë i quajti rekomandime “të kushtëzuara”, që duhet të merren parasysh nga mjekët rast pas rasti:
– Përdorimi i kremrave të klaskoteronit, të cilët synojnë çështjet hormonale që mund të nxisin aknet. Gjithashtu, terapitë hormonale si përdorimi i tabletave kontraceptive ose spironolaktonit mund të adresojnë gjithashtu shkaqet hormonale të akneve.
– Kremrat me acid salicilik që mund të ndihmojnë në hapjen e poreve dhe eksfolimin e lëkurës.
– Kremrat e acidit azelaik që mund të përdoren për të “zhbllokuar poret, për të vrarë bakteret dhe për të zbehur njollat e errëta që mund të vazhdojnë kur një njollë aknesh pastrohet”.
– Tabletat minocycline ose sarecycline, për të luftuar bakteret e lëkurës të lidhura me aknet dhe për të lehtësuar inflamacionin.
Kishte shumë pak prova mbështetëse për të rekomanduar trajtime të tjera të supozuara të akneve, të tilla si peeling kimik, lazer dhe pajisje të bazuara në dritë ose mikrogjilpërë, njofton Akademia Amerikane e Dermatologjisë.
Mungonin gjithashtu provat për të mbështetur ndryshimet dietike, ose terapitë alternative si vitaminat ose produktet me bazë bimore, tha akademia në fjalë. /Gazeta Shneta/


