Klinika e Neonatologjisë, nën drejtimin e Dr. Hajrije Ismaili, Mr.Sci, ka prezantuar raportin vjetor për vitin 2023 para disa ditësh në Bordin e SHSKUK-së. Ismaili ka rënditur disa nga arritjet e klinikës, problemet aktuale dhe sfidat për të ardhmen. Si një qendër referente për kujdesin shëndetësor të foshnjave të posalindura, klinika ofron shërbime të nivelit primar, sekondar dhe terciar, shkruan Gazeta Shneta.
Në vitin 2023, Klinika ka trajtuar me sukses një numër të lartë të foshnjave të lindura në Klinikën Gjinekologjike Obstetrike, si dhe ato të transferuara nga spitalet rajonale dhe maternitetet e Kosovës. Numri i të posalindurve të pranuar dhe trajtuar në klinikë ka qenë 8464 foshnje. Përveç kësaj, vizitat ambulatore dhe shërbimet diagnostike janë ofruar në një shkallë të gjerë, tregues i përkushtimit të klinikës për të siguruar kujdesin shëndetësor më të mirë për të posalindurat.
Struktura e udhëheqjes së klinikës, e përbërë nga drejtori, shefat e reparteve dhe kryeinfermierat, ka luajtur një rol të rëndësishëm në menaxhimin efikas të klinikës. Me një staf të specializuar prej 31 specialistësh, 98 infermierësh dhe personeli multidisiplinor, klinika ofron një gamë të gjerë shërbimesh, përfshirë trajtimin e fëmijëve në kushte intensive dhe gjysëm-intensive, si dhe diagnostikimin dhe trajtimin e anomalive të lindura.
Megjithatë, klinika përballet me sfida të cilat përfshijnë mungesën e resurseve profesionale dhe nevojën për përmirësimin e shërbimeve si transporti neonatal dhe ambulanta e follow up. Për të adresuar këto sfida dhe për të përmirësuar cilësinë e kujdesit shëndetësor, klinika ka planifikuar një program të gjerë trajnimi për personelin e saj në bashkëpunim me AMC dhe Dartmouth Medical School, si dhe themelimin e shërbimeve të reja si transporti neonatal dhe përcjellja e foshnjeve të lindura para kohe dhe të sëmura.
Raporti vjetor i Klinikës së Neonatologjisë shfaq përkushtimin dhe përpjekjet e klinikës për të siguruar kujdesin më të mirë për të posalindurat dhe për të përmbushur standardet më të larta të kujdesit shëndetësor në Kosovë.
Shifrat e rëndësishme për vitin 2023:
- Numri total i të posalindurve të pranuar në klinikë: 8464
- Numri i foshnjeve të lindura gjallë në Klinikën Gjinekologjike Obstetrike: 7896
- Numri i foshnjeve të pranuara nga jashtë ose transfere nga spitalet rajonale: 568
- Numri i vizitave ambulatore: 4106
- Numri i shërbimeve diagnostike ofruar: 1540
- Numri i specialistëve: 31
- Numri i infermierëve: 98
/Gazeta Shneta/




