Ministria e Shëndetësisë së Kosovës (MSh), ka njoftuar rreth fillimit të programit të vaksinimit të vajzave të moshës 12 vjeçare kundër Human Papilloma Virusit (HPV).
Në komunikatën e dhënë thuhet se ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia së bashku me Kryetarin e Komunës së Podujevës, z. Shpejtim Bulliqi, të shoqëruar nga Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, prof. Naser Ramadani ishin të pranishëm në shkollën fillore “Hyzëriu dhe Samiu” në Komunën e Podujevës, për të parë nga afër procesin e vaksinimit.
Mes tjerash, bazuar në Planin e Imunizimit, Ministria e Shëndetësisë ka siguruar mbi 15 mijë doza të vaksinës Human Papilloma Virusi (HPV), e cila do të jepet në shkolla (për vajzat e klasave të gjashta) nga ekipet e vaksinimit të Kujdesit Parësor Shëndetësor nën mbikëqyrjen e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.
“Human Papilloma Virusi (HPV) është infeksioni viral më i shpeshtë i organeve riprodhuese tek gratë dhe burrat dhe nëse nuk trajtohet shkakton 95% të kancereve të qafës së mitrës. Vaksina HPV mund të parandalojë më shumë se 90% të kancereve të ndërlidhura me Human Papilloma Virusin dhe aktualisht kjo vaksinë jepet në 126 vende të botës, të cilat e kanë përfshirë atë në Kalendarin e tyre kombëtar të vaksinimit të rregullt”, potencohet në komunikatë.
Vlen të ceket se dëshmitë shkencore kanë treguar se vaksina HPV është e sigurt dhe shumë efektive, prandaj Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që t’i vaksinojnë vajzat e tyre, duke i mbrojtur ato nga HPV, që është shkaku numër një i kancerit të qafës së mitrës. /Gazeta Shneta/




