Në Kosovë, mjekët serbë trajtojnë shqiptarë dhe mjekët shqiptarë trajtojnë serbë, gjë që lë të kuptohet se besimi i përbashkët, pas të gjithave, nuk ka humbur në tërësi.
Pediatri Millorad Todoroviq e konsideron bekim faktin që ka lindur në një zonë në lindje të Kosovës, ku serbët dhe shqiptarët e gjeneratës së tij janë rritur duke folur gjuhën e njëri-tjetrit.
Kjo do të thotë që sot, klinikën e tij private të pediatrisë në fshatin Shillovë të Gjilanit, e vizitojnë vazhdimisht pacientët shqiptarë.
“Nipat e mbesat e mësuesve të mi shqiptarë tani janë pacientët e mi të vegjël,” tha Millorad Todoroviq, 63-vjeçar. “Çdo person që ka nevojë për kujdes dhe që respekton rregullat trajtohet këtu, përfshirë fëmijët shqiptarë. Unë nuk mund të ndryshoj realitetin apo shëroj frustrimet; puna ime është të përqendrohem në shëndetin e fëmijëve.”
Nën qeverisjet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, tensionet politike mes dy vendeve janë rritur në kohën e fundit, për shkak të një varg çështjesh të pazgjidhura që kanë mbetur që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 dhe refuzimit të Serbisë për ta njohur atë.
Serbët dhe shqiptarët në Kosovë, në përgjithësi, bëjnë jetë mjaft të ndarë ndër vite, të ndihmuar nga institucionet paralele në zonat me shumicë serbe, të financuara nga shteti serb, përfshirë shërbimet shëndetësore.
Por kur vjen puna te trajtimi i sëmundjeve, në shumicën e rasteve bien pengesat.
“Jam trajtuar në Prishtinë para dhe pas luftës; nuk kam frikë apo paragjykime,” tha Predrag Milanoviq, pensionist serb nga Gracanica, pak kilometra prej kryeqytetit të Kosovës. “Si serbë, shkojmë te mjekët shqiptarë, dhe shqiptarët shkojnë te serbët.”
Shkrimin e plotë e gjeni në Balkan Insight




