Një vaksinë e shtuar në imunoterapinë standarde, kishte dy herë më shumë gjasa për të tkurrur kancerin e mëlçisë sesa kur një pacient merrte vetëm imunoterapi, zbulon një studim i ri.
Vaksina mund të ndihmojë pacientët me kancer të mëlçisë të jetojnë më gjatë, pasi më pak se një në 10 mbijetojnë pesë vjet pas diagnozës së tyre, vunë në dukje studiuesit, shkruan burimi Health Day përcjell Gazeta Shneta.
Në fakt, rreth 8% e pacientëve që morën vaksinën e re kishin një përgjigje të plotë, pa asnjë dëshmi të kancerit të mbetur, treguan rezultatet.
“Ne jemi në një moment emocionues në zhvillimin e terapisë së re. Vaksinat e personalizuara janë gjenerata e ardhshme e vaksinave që janë premtuese në trajtimin e kancereve të vështira”, tha studiuesja Dr. Elizabeth Jaffee, zëvendësdrejtoreshë e Qendrës së Kancerit “John Hopkins Kimmel” në Baltimore.
Për studimin, studiuesit rekrutuan 38 pacientë me karcinomë hepatocelulare, lloji më i zakonshëm i kancerit të mëlçisë.
Të gjithë pacientët morën vaksinën me porosi së bashku me pembrolizumab (Keytruda), një ilaç imunoterapie që ndihmon në aktivizimin e sistemit imunitar për të sulmuar qelizat e kancerit.
Vaksina është bërë nga një biopsi e tumorit të mëlçisë e marrë nga çdo pacient individual.
Studiuesit analizuan tumorin për të kuptuar se cilat gjene të mutuara po e shkaktojnë atë, dhe më pas ata krijuan një vaksinë të personalizuar për të synuar kancerin e një pacienti.
Çdo vaksinë mund të përfshijë deri në 40 gjene. Vaksina ndihmon sistemin imunitar të lokalizojë kancerin bazuar në këto gjene dhe më pas ta shkatërrojë atë.
Studiuesit zbuluan gjithashtu se pacientët që morën vaksina që synonin numrin më të madh të proteinave të mutuara iu përgjigjën më së miri terapisë.
Gjetjet u botuan më 7 prill në revistën “Nature Medicine” dhe u prezantuan gjatë fundjavës në takimin vjetor të Shoqatës Amerikane për Kërkimet rreth Kancerit në San Diego. /Gazeta Shneta/


