Close Menu
Gazeta ShnetaGazeta Shneta
  • Lajme
  • Teknologji
  • Mjeku juaj
  • Këshilla për shtatzëna
  • Femina
  • Jetë
  • Publikime
  • Psikologji
  • Logopedi
  • Fizioterapi
Facebook X (Twitter) Instagram
Facebook X (Twitter) YouTube
Gazeta ShnetaGazeta Shneta
  • Lajme
  • Teknologji
  • Mjeku juaj
  • Këshilla për shtatzëna
  • Femina
  • Jetë
  • Publikime
  • Më shumë
    • Psikologji
    • Logopedi
    • Fizioterapi
Gazeta ShnetaGazeta Shneta

Paguhen, por nuk punojnë: Dy toksikologët “joekzistentë” të QKUK-së

Lajme 07/05/2024
Facebook WhatsApp Twitter LinkedIn Reddit Email Telegram
Shpërndaje
Facebook WhatsApp Twitter LinkedIn Email Telegram

Nënshkruhen në 7:00 të mëngjesit, kur nis punën ndërrimi i parë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, dhe rikthehen për t’u nënshkruar sërish në orën 14:00, kur e përfundon orarin.

Kjo është “puna” që bëjnë dy toksikologët e QKUK-së, Pëllumb Islami dhe Demush Bajraktari, për më shumë se tre vjet.

Të vetmit specialistë në toksikologji brenda QKUK-së, ata pranojnë se nuk e ushtrojnë funksionin e tyre, por thonë se nuk kanë kushte.

Klinika e Biokimisë, ku janë të punësuar, nuk ka laborator të veçantë për trajtimin e rasteve toksikologjike.

“Nuk kemi zyrë, nuk kemi kompjuterë dhe laboratori mungon në tërësi. Në mungesë të këtyre [gjërave], është e pamundur të zhvillohet puna e specialistit të toksikologjisë”, thotë Islami për Radion Evropa e Lirë.

Ngjashëm pohon edhe kolegu i tij, Bajraktari, dhe shton se kërkon mbështetje nga menaxhmenti për të funksionalizuar shërbimin e toksikologjisë.

Udhëheqësit e Klinikës së Biokimisë thonë se Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës – me të cilin dy toksikologët kanë nënshkruar kontratë – është i njoftuar me mosangazhimin e tyre.

“Dy kolegët nuk kontribuojnë asgjë, veç vijnë dhe nënshkruhen”, thotë drejtori i Klinikës së Biokimisë, Shemsi Veseli, për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, Islami dhe Bajrakari kanë nënshkruar kontratë pune me SHSKUK-në në mars të vitit 2021 dhe që nga ajo kohë marrin pagë prej më shumë se 1.200 eurosh në muaj.

“Ata duhet të angazhohen diku, që ta arsyetojnë pagën, [sepse] kjo është zhvatje klasike e buxhetit. Ma merr mendja që edhe ata vetë nuk e ndiejnë veten mirë. Marrin pagë sikur kolegët që punojnë me orë të tëra e me fluks të madh [pacientësh]”, thotë Veseli.

Ai shton se, nëse Biokimia nuk ka kushte tash për tash, janë klinikat e tjera, si ajo e Gastroenterologjisë, Psikiatrisë apo Emergjente, që kanë nevojë për toksikologë.

Veseli thotë se SHSKUK-ja është njoftuar për gjendjen në fillim të këtij viti.

Në emailin e dërguar prej tij, të cilin e pa REL-i, shkruante:

“Ky veprim [i toksikologëve] është zhvatje e buxhetit tonë dhe krijon pakënaqësi te kolegët. Andaj, kërkojmë që ata të risistemohen”.

Drejtori i SHSKUK-së, Elvir Azizi, thotë se “do të veprojë duke u bazuar në ligjet në fuqi”.

Ai ka marrë detyrën gati një vjet më parë dhe thotë se, deri vonë, nuk ka qenë në dijeni për rastin e tyre.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Azizi thekson se, në kuadër të planit të punës për këtë vit, është ndarë buxheti për ndërtimin e laboratorit të toksikologjisë – për herë të parë në Kosovë.

“Deri kur të bëhet gati ky laborator, ata specialistë do të caktohen në detyra të tjera. Ne do ta analizojmë këtë çështje me personat kompetentë dhe do të veprojmë konform bazës ligjore në fuqi”, thotë Azizi, pa dhënë ndonjë afat kohor apo detaj tjetër.

Radio Evropa e Lirë bisedoi edhe me ish-drejtorin e SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, i cili i ka nënshkruar kontratat me toksikologët në fjalë, por ai tha se “nuk i kujtohet koha kur janë nënshkruar ato”.

“Sigurisht që ka pasur kërkesa prej institucioneve për t’u pranuar dhe, me sa më kujtohet, ka qenë çështja për sistemimin e tyre për emergjencë… A kanë punuar apo a punojnë tash… nuk e di. Ata duhet t’i raportojnë dikujt”, tha Krasniqi, pa specifikuar se për cilat institucione e ka fjalën.

Bajraktari thotë se në pozitën e specialistit të toksikologjisë është pranuar në mënyrë meritore, pasi ka aplikuar në konkurs publik.

Në kontratë thotë se vendi i punës i është caktuar në Klinikën e Biokimisë.

Ai thotë se ka kërkuar vazhdimisht nga udhëheqja e QKUK-së “detyra dhe përgjegjësi shtesë”.

“Marrë parasysh se shërbimi i toksikologjisë nuk ka qenë i themeluar dhe nuk ka pasur kushte të ushtrimit të profesionit – në kuptim të analizimit të mostrave për teste toksikologjike – sigurisht se kemi hasur në vështirësi”, thotë Bajraktari për Radion Evropa e Lirë.

“Por, gjatë kësaj periudhe, jam angazhuar maksimalisht në definimin e procesit që ka të bëjë me themelimin e shërbimit toksikologjik në QKUK – në mënyrë që ky shërbim të funksionalizohet sa më parë – duke analizuar dhe përgatitur akte dhe udhëzime që kanë të bëjnë me shërbimin e toksikologjisë”, shton ai.

Kolegia e tij, Fitore Komoni, e cila udhëheq Klinikën e Gastroenterologjisë në QKUK, thotë se nuk e di që ky institucion ka toksikologë.

“Klinika e Gastroenterologjisë ka mjaft nevojë për toksikologë, në mënyrë që të vlerësohet shkalla e toksicitetit dhe problematikat tjera te pacientët. Në mungesë të tyre, ne bëjmë ekzaminime të tjera dhe e bëjmë vetë vlerësimin e situatës”, thotë Komoni për Radion Evropa e Lirë.

Në Klinikën e Emergjencës thonë, po ashtu, se përpiqen t’i trajtojnë vetë rastet që kanë probleme toksikologjike.

Sipas tyre, brenda dhjetë ditësh në këtë klinikë paraqiten mesatarisht tri raste të tilla.

Derisa këta dy specialistë kanë punë, por s’e ushtrojnë funksionin, QKUK-ja ka mungesa të disa specialistëve të tjerë – sidomos të anesteziologëve – të cilat shpesh bëjnë që pacientët të mbeten në lista të gjata pritjesh.

Të dhënat e Odës së Mjekëve të Kosovës tregojnë se, vitin e kaluar, 160 mjekë kanë marrë të ashtuquajturën certifikatë të pastërtisë etiko-profesionale, që do të thotë se janë larguar nga Kosova, ose janë në proces të largimit.

Sipas kësaj ode, të larguarit – që kryesisht emigrojnë drejt vendeve të Bashkimit Evropian – ankohen për kushte jo të mira pune, paga të ulëta dhe keqmenaxhim.

Paga bruto e një mjeku specialist në Kosovë është rreth 1.200 euro, ndërsa në Gjermani, për shembull, arrin në mbi 4.000 euro.

Përveç stafit, sfida në QKUK shkaktojnë shpesh edhe aparaturat për diagnostikim që nuk punojnë, ose nuk shfrytëzohen, apo barnat që mungojnë, apo keqmenaxhohen. /REL/

Artikulli paraprakUshqimet e detit, vezët dhe mishi mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut të çrregullimit bipolar
Artikulli i rradhës Vitia: Autoambulancë për foshnjet e posalindura, investim me pajisje të gjeneratës së fundit për transport të sigurt

Ju sugjerojmë

Aksidenti tragjik në Komoran: Tre të lënduarit po trajtohen në QKUK, gjendja e tyre e rëndë

21/07/2026 Lajme

Moti i lig: Ekipet e KEDS-it në terren për të monitoruar situatën me rrymë

21/07/2026 Lajme

Gruaja e Hysen Durmishit bëhet këshilltare e ministrit Vitia

21/07/2026 Lajme

IKD: Ngërçi politik po rrezikon funksionimin e institucioneve të pavarura

21/07/2026 Lajme

Peticion me 110 mijë nënshkrime kërkon gjashtë muaj pushim të lehonisë në Zvicër

21/07/2026 Këshilla për shtatzëna

Arratiset një person i ndaluar gjatë trajtimit mjekësor në Suharekë

21/07/2026 Lajme
Na ndiqni
  • Facebook
  • Twitter
  • Instagram
  • YouTube
Rreth nesh
Rreth nesh

Gazeta Shneta është produkt medial që i kushtohet vetëm shëndetësisë.

Këshillat mjekësore të postuara nga Gazeta Shneta janë të natyrës edukative.

Kontakt

Pronari i medias: Bujar Vitija

Redaktore: Diana Basholli

Email: [email protected]

Adresa: Rr. Vicianum, Prishtinë, pn.

Marketing

Email: [email protected]

Tel: +383 44 701 781

Përmbajtja

Gazeta Shneta është e hapur ndaj partnerëve të marketingut.

Linqe

Privacy Policy

Facebook X (Twitter) Instagram YouTube
© 2026 Gazeta Shneta

Shkruani fjalën dhe klikoni Search/Enter për të kërkuar. Klikoni X për ta anuluar.