600 mijë euro është kostoja e renovimit të Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Bashkë me renovimin është shtuar edhe numri i shtretërve.
Në ceremoninë e përurimit të renovimeve të kësaj klinike, i pranishëm ishte edhe kryeministri Albin Kurti e ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, raporton EO.
Kryeministri Kurti ka thënë se janë bërë renovime substanciale prej rreth 600 mijë eurosh në këtë klinikë dhe se krahas renovimeve, është shtuar edhe buxheti për blerjen e barnave.
“Kemi një investim substancial prej 600 mijë eurosh që e ka transformuar në mënyrë fort domethënëse për mjekët, infermierët, stafin mbështetës që janë gjithsej 70, por para së gjithash për pacientët. I kanë pasur 45 shterët e tash i kanë 60 shtretër. Dhe së shpejti do të jenë 110. Me akseleratorin e ri të cilin e kemi instaluar lista e pritjes është zero”.
“Ky investim kap shifrën 1 milion e 444 mijë euro. Unë jam i lumtur që mora vesh se procesi i dhënies së vaksinës HPV-së i sëmundjes së kancerit të mitrës është duke shkuar mirë, lista esenciale e barnave është zgjeruar dhe se buxheti është shtuar; nga 24 milionë euro në 60 milionë euro”.
“Në Kosovë, qytetarët e Republikës blejnë 120 milionë euro barna; gjysmën e blejnë ata e gjysmën tjetër paguan shteti. Nga dy rezonanca magnetike vetëm këto tri vite janë edhe tri rezonanca të reja. Terapia tabletare tash jepet edhe në Prizren. Është një ditë e veçantë për pacientët, mjekët e stafin të cilët i falënderoj nga zemra”, ka thënë Kurti.
Nga ana tjetër ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se është shumë i lumtur pasi që tash pacientët marrin shërbime pa listë të pritjes.
“Shumë i lumtur e i gëzuar që një Klinikë kaq vitale për një grup të pacientëve tash e tutje do të marrin shërbime pa listë të pritjes. Falënderoj stafin e Klinikës së Onkologjisë të cilët kanë ndihmuar të rinovimin rrënjësor. Uroj të ketë më pak sëmundje të tilla. Rrallëkund edhe në rajon i kanë mundësitë të marrin shërbime të tilla moderne”, ka thënë Vitia.




