Ortopedi Sabit Sllamniku është liruar nga aktakuza për marrje ryshfeti nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Lajmin e ka bërë të ditur avokati i tij Driton Muharremi përmes një postimi në Facebook, shkruan Gazeta Shneta.
“Drejtesia u vendose ne vend! Pas nje maratone hetimesh e seancash gjyqesore Profesori dhe ortopedi Sabit Sllamniku sot nga Trupi Gjykues i Gjykates Themelore ne Prishtine -Departamenti i Krimeve te Renda, u lirua nga dy veprat penale per te cilat padrejtesisht ishte akuzuar! Une dhe kolegu dhe miku im Avni Leci prej dites se pare kemi qene te bindur ne pafajsine e dokit! Ato qe i kemi theksuar gjate gjithe kohes sot u vertetuan!”, ka shkruar Muharremi.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 1 nëntor 2022, ka ngritur aktakuzës ndaj të pandehurit Sabit Sllamniku i cili në cilësinë e personit zyrtar, mjek ortoped, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës – Klinikën e Ortopedisë, Kryetar i Komisionit për vlerësimin e shkallës së invaliditetit, duke vepruar në pajtim me detyrën e tij zyrtare, e me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë për vete, në kundërshtim me Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për çështje Administrative, A.nr.2532/18 i 11 marsit 2021, nga i dëmtuari Ekrem Saçi, në emër të vlerësimit të shkallës së invaliditetit të tij, ka kërkuar nga 100 euro për secilin nga anëtarët e komisionit, përkatësisht shumën prej 300 euro, shkruan betimiperdrejtesi.
Sipas aktit akuzues, më 13 korrik 2021 në ora 08:30 gjatë zbatimit të masës së fshehtë teknike të vëzhgimit dhe hetimit, në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, i pandehuri ka pranuar shumën prej 100 euro nga i dëmtuari.
Me këtë Sllamniku po akuzohet se ka kryer veprën penale marrja e ryshfetit nga neni 421 par 1. të KPRK-së.
Tutje, sipas diapozitivit të dytë, Sllamniku po akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, mjek ortoped, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës – Klinikën e Ortopedisë, Kryetar i Komisionit për vlerësimin e shkallës së invaliditetit në kundërshtim me Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për çështje Administrative, A.nr.1910/18 i 17 marsit 2021, me qëllim që të përfitoj për vete dhe për anëtarët e tjerë të komisionit Ilir Miftari dhe Gentian Morina, me 11 qershor 2021 nga e dëmtuara Fazile Krasniqi, në emër të vlerësimit të invaliditetit të saj në cilësi të kryetarit të komisionit ka kërkuar që përmes bankës të paguhen nga 100 euro për secilin nga anëtarët e komisionit, përkatësisht shumën prej 300 euro, ashtu që djalit të dëmtuarës Festim Krasniqi në të njëjtën datë, në llogaritë bankare të të pandehurit, dhe anëtarëve të tjerë të komisionit ka deponuar shumat nga 100 euro, me ç’rast tani të dëmtuarës Fazile Kransiqi, përkatësisht Festim Krasniqit i kanë shkaktuar dëm material në shumën prej 300 euro.




