Drejtori i QKMF-së në Fushë Kosovë, Remzi Shala ka folur për sfidat dhe vështirësitë që përballet kjo qendër.
Në një intervistë për Gazetën Shneta, Shala tha se sfida më e madhe është numri i stafit mjekësor përkundër rritjes së numrit të banorëve.
Sipas tij numri i stafit mjekësor është jo i mjaftueshëm, megjithatë ata po bëjnë të pamundurën që t’i plotësojnë kërkesat për shërbime shëndetësore.
“Qendra e Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë është themeluar në vitin 2002 dhe që atëherë një prej sfidave më të mëdha është rritja enorme e popullatës, sfidë tjetër ka qenë edhe stafi jo i mjaftueshëm përkundër kërkesave dhe vullnetit për ofrimin e shërbimeve për qytetarët”, tha Shala.
Tutje, Shala tha se vetëm gjatë vitit 2023 patur afër 500 mijë shërbime shëndetësore përkundër mbi 210 mijë vizitave mjekësore duke patur rritje 24% të tyre.
Shala foli edhe për furnizimin me barna, i cili tha se aktualisht gjendja është e mirë dhe ka furnizim të mjaftueshëm.
“Furnizimi me barna bëhet nga lista esenciale që është përgjegjëse e Ministrisë së Shëndetësisë dhe kemi edhe listen komerciale për barnat në raste urgjente dhe nevoja të veçanta ne i furnizojmë me materiale shëndetësore dhe barna nga lista komerciale, sa i përket listës esenciale për momentin është mirë, por për momentin kemi patur vështirësi me furnizimin e disa materiale shpenzuese siç janë me sisteme, kanila dhe flastera që i kemi kompensuar përmes listës komerciale, ndërsa sa i përket barnave dhe terapisë me ampulave jemi të furnizuar”, deklaroi ai.
Shala u shpreh se rritja e numrit të vizitave në QKMF rritet sidomos gjatë muajve të verës me ardhjen e bashkatdhetarëve, por pa përjashtuar muajt e dimrit me situatën e griprave dhe virozave të ndryshme.
Në fund, Shala tha se është duke u investuar për ndërtimin e një Qendre të re të Mjekësisë Familjare dhe po planifikohet që në të ardhmen të ndërtohen edhe dy të tjera.
“Komuna dhe drejtoria ka bërë shumë investime duke ndërtuar objekte të reja në të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare, jemi në prokurim edhe ndërtimin e një qendre të re në Fushë Kosovë, kërkesat janë që së paku të ndërtohen edhe dy qendra të tjera”, përfundoi Shala.
Ndiqeni më poshtë intervistën e plotë të Dr. Remzi Shala. /Gazeta Shneta/




