Rezistenca antimikrobike (AMR) është një shqetësim i madh për shëndetin publik dhe një studim i ri shqyrton se si taksat mund të ndikojnë në recetat e antibiotikëve.
Taksimi i antibiotikëve me spektër të gjerë që kontribuojnë më shumë në rezistencën ndaj ilaçeve mund të zvogëlojë recetat në favor të ilaçeve të tjera, thonë studiuesit me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, raporton Euronews Health përcjell Gazeta Shneta.
Kontribuesi kryesor i rezistencës antimikrobike (AMR), që është kur bakteret nuk i përgjigjen më ilaçeve, është përdorimi i tepërt dhe keqpërdorimi i antibiotikëve.
Antibiotikët kategorizohen si me spektër të ngushtë (d.m.th. që synojnë bakteret specifike) ose me spektër të gjerë (ato që përdoren më gjerësisht).
Studiuesit shikuan ndikimin e vendosjes së një “takse” për mjekët e përgjithshëm (GP) kur ata përshkruajnë antibiotikë me spektër të gjerë, duke e bazuar kërkimin e tyre në 10 vjet analiza mujore të të dhënave të shitjeve të antibiotikëve në Mbretërinë e Bashkuar.
Ata publikuan gjetjet e tyre në “the International Journal of Industrial Organisation”.
“Rezistenca ndaj antibiotikëve është një çështje e rëndësishme dhe një prioritet për politikën shëndetësore të Mbretërisë së Bashkuar. Është ndoshta ‘bomba tjetër me sahat’ në sistemin e kujdesit shëndetësor,” tha në një deklaratë Farasat Bokhari, një profesor nga Universiteti Loughborough dhe një nga bashkautorët e studimit.
Kalimi në antibiotikë me spektër të ngushtë
Ideja është të krijohet një nxitje financiare për kalimin nga antibiotikët me spektër të gjerë në antibiotikët me spektër të ngushtë.
Ata shikuan disa mundësi të ndryshme tatimore. Një opsion i tillë ishte një taksë 20 për qind për të gjithë antibiotikët ose një që aplikohej vetëm për antibiotikët me spektër të gjerë që kontribuojnë më shumë në AMR: ko-amoxiclav, kinolone dhe cefalosporinat.
Një taksë për këto barna me spektër të gjerë rezultoi në një rënie prej 37.7 për qind në përdorimin e tyre dhe një rënie prej 2.38 për qind në përdorimin e përgjithshëm të antibiotikëve.
Mes tjerash, një taksë më e përgjithësuar për të gjithë antibiotikët uli përdorimin e antibiotikëve më problematikë me spektër të gjerë me 29.4 për qind dhe përdorimin e përgjithshëm të antibiotikëve me 12.7 për qind.
“Gjetjet tona tregojnë se kalimi nga spektri i gjerë në spektër të ngushtë është i mundur nëpërmjet ndryshimeve në çmimet relative të shkaktuara nëpërmjet taksimit, por kjo ka implikime – për sa i përket kostos totale për shoqërinë,” tha Bokhari.
Studiuesit thanë se politikat tatimore duhet të përfshijnë përjashtime bazuar në ashpërsinë e sëmundjes dhe pranuan se në situata urgjente ku pritja për teste të sakta diagnostike nuk është e realizueshme, kalimi në antibiotikë me spektër të ngushtë mund të vonohet.
AMR shkakton më shumë se 670,000 infeksione çdo vit dhe afërsisht 33,000 vdekje në Bashkimin Evropian, sipas disa vlerësimeve.
Në vitin 2019, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e njohu AMR si një nga dhjetë kërcënimet kryesore globale të shëndetit publik me të cilat përballet njerëzimi. /Gazeta Shneta/


