Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë shëndetësorë (OIK) ka njoftuar se do të bëjë licencimin e biokimistëve me shkollim bazë të studimeve në Biologji dhe Kimi si dhe specialistëve të psikologjisë klinike.
OIK tha se tashmë ka marrë përmes e-mailit konfirmimet nga Ministria e Shëndetësisë për zbatim të shkresës me numër protokolli 05-7485 të Ministrit të Shëndetësisë të datës 21 nëntor 2023.
Me këtë rast pasi ka përfunduar procesi i anëtarësimit të profesionistëve shëndetësorë si specialist të biokimisë me shkollim bazë të studimeve në Biologji dhe Kimi ata do të licencohen dhe rilicencohen nga ana e OIK.
Licencimi do të bëhet për biokimistët me Kodin 05-56 kurse për psikologët klinikë me kodin 05-70.
Neni 9 dhe 45 i Ligjit për Odat e Profesionistëve tjerë shëndetësorë i jep OIK-ut autorizimet ligjore për licencimin dhe rilicencimin e biokimistëve me shkollim bazë në biologji dhe kimi si dhe specialistëve të psikologjisë klinike që aplikojnë për licencë. /Gazeta Shneta/




