Mos përdorni një peeling kimik për të ndihmuar në rinovimin e lëkurës tuaj nëse nuk bëhet nën mbikëqyrjen e një profesionisti të trajnuar, ka këshilluar Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA.
“FDA po paralajmëron konsumatorët që të mos blejnë ose përdorin produkte të caktuara kimike të lëkurës pa mbikëqyrjen e duhur profesionale për shkak të rrezikut të lëndimeve serioze të lëkurës”, tha agjencia në një njoftim për shtyp të lëshuar këtë javë.
Një dermatolog ose një mjek i licencuar dhe i trajnuar duhet të jetë gjithmonë pranë kur aplikohet një peeling – i cili është krijuar për të hequr shtresat e lëkurës, shkruan HealthDay, transmeton Gazeta Shneta.
FDA u kujtoi konsumatorëve se nuk ka aprovuar kurrë një peeling kimik dhe disa përmbajnë nivele aq të larta acidi sa mund të shkaktojnë djegie kimike.
Megjithatë, shumë prej këtyre produkteve “shiten në dyqanet e produkteve të bukurisë dhe në internet dhe tregtohen për qëllime të tilla si puçrrat, zbardhja e ngjyrës, rrudhat dhe prodhimi i kolagjenit”, vuri në dukje agjencia.
“Ato përmbajnë përbërës të tillë si acidi trikloroacetik (TCA), acidi glikolik, acidi salicilik dhe acidi laktik në përqendrime të ndryshme që janë shumë të larta për t’u përdorur në mënyrë të sigurtë në shtëpi pa mbikëqyrje”, thanë tutje.
Sa i rrezikshëm mund të jetë një peeling kimik i pambikëqyrur varet nga sa i koncentruar përdoret një acid dhe nga numri i aplikimeve dhe kohëzgjatja e aplikimit të secilit.
“Këto produkte heqin shtresat e lëkurës në thellësi të ndryshme dhe mund të shkaktojnë djegie të rënda kimike, dhimbje, ënjtje, infeksion, ndryshime në ngjyrën e lëkurës dhe plagë të shpërfytyruara”, paralajmëroi FDA.
“Këto lëndime madje mund të kërkojnë kujdes urgjent ose kujdes special nga një dermatolog ose kirurg”, shtoi FDA. /Gazeta Shneta/


