Ministria e Shëndetësisë ka kontraktuar dy ilaçe për sëmundje të rralla në vlerë mbi 3.3 milionë Euro. Njërin nga Lotet e tenderit fillimisht e anuloi me arsyetimin se çmimi ishte shumë i lartë. Por pas ankesës së kompanisë, MSh ia dha tenderin me arsyetimin se ka hequr TVSH-në.
Ministria e Shëndetësisë ka kontraktuar dy ilaçe për personat me sëmundje të rënda dhe të rralla, Adalimumab dhe Risdiplam. Këto dy produkte janë blerë përmes tenderit me titull “Furnizim me produkte për sëmundje te rënda dhe të rralla për SHSKUK”, me vlerë 3,393,707.28 Euro. Interesant është fakti se po kaq saktë ka qenë edhe vlera e parashikuar e përcaktuar nga MSh, shkruan Gazeta Shneta.
MSh fillimisht e kontraktoi vetëm produktin Risdiplam duke e shpërblyer kompaninë “Santefarm” me kontratë me vlerë mbi 3.2 milionë Euro. Ndërkaq Lot 1 për produktin Adalimumab e anuloi me me arsyetimin se operatori ekonomik kishte ofertuar me çmim 8 për qind më shtrenjtë sesa vlera e parashikuar dhe kontrata paraprake.
“Ministria e Shëndetësisë e anulon aktivitetin e prokurimit për Lot 1 për mungesë të ofertave të përgjithshme. OE ka ofertuar me TVSH zero dhe sipas krahasimit të çmimit, oferta është për 8% më e shtrenjtë sesa çmimi i përllogaritur nga AK-MSh dhe sesa kontrata paraprake e realizuar nga i njëjti OE. Vlera e parashikuar nga AK-MSh për tenderim ka qenë me TVSH 8%”, thuhej në vendimin e zyrës së prokurimit të MSh-së më datën 22.07.2024.
Pas këtij vendimi, kompania “Exclusive Corporation” ushtroi ankesë e më pas MSh ia dha tenderin.
Në një përgjigje për Gazetën Shneta nga MSh ka thënë se operatori ekonomik ka ofruar dëshmi se produkti është vendosur në listën e citostatikëve dhe rrjedhimisht është liruar nga TVSH gjë që ka bërë që çmimi të nivelizohet sipas përllogaritjes së MSh-së.
“Këtu nuk kemi të bëjmë me tejkalim të vlerës së parashikuar të tenderit, por kemi të bëjmë me ndryshimin e normës së TVSH-së prej 8%, dhe operatori ekonomik ka ofertuar brenda vlerës së parashikuar. Pra, vlera në total është 189,535.50 € dhe se nuk ka tejkalim të buxhetit. Sipas dëshmive të lëndës, ndryshimi i normës së TVSH-se prej 8% është bërë nga Ministria e Financave – Dogana e Kosovës, me ç‘rast ky produkt ka kaluar në listën e cito statikëve dhe është liruar nga TVSH-ja (tani ka TVSH zero)”, kanë deklaruar nga MSh.
Nga ministria poashtu kanë deklaruar se “OE ankues ka ofruar edhe një njoftim shtesë si plotësim të ankesës, duke na njoftuar për mundësinë e rritjes së çmimit mbi këtë vlerë në tenderimet e ardhshme dhe mundësinë e mospjesëmarrjes në ofertim, shih përmbajtjen si ne vijim:

Tutje nga MSh kanë deklaruar se kanë marr për bazë edhe një opinion të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik të datës 22.11.2022 rreth normës se TVSH-së;
“Oferta është brenda vlerës se parashikuar 189,535.50 € dhe nuk ka tejkalim të buxhetit. Prodhuesi është Stada Arzinmittel – Gjerman, produkti është shumë i nevojshëm dhe është i rëndësishëm të kemi furnizim për numrin e shtuar të pacientëve, e të mos kemi ndërprerje të furnizimit, aktualisht vetëm jemi në mungesë të sasisë. Produkti është i vetmi i regjistruar në Kosovë dhe nuk ka konkurrencë në treg. Në rast të ankesës në OSHP, lënda do të tej zgjatej dhe do të detyroheshim të zhvillojmë procedurë emergjente”, kanë deklaruar nga MSh. /Gazeta Shneta/




