Një kirurg ka gjetur një mënyrë të re për të hequr tumoret në tru “sa një kokërr molle” përmes një procedure unike që përfshin vetëm vetullën e pacientëve, duke ofruar përfitime të jashtëzakonshme në procesin e shërimit.
Neurokirurgu Anastasios Giamouriadis ka përshtatur një teknikë ekzistuese për të hequr tumoret, ku pacientët mbeten me një shenjë minimale dhe një sy të nxirë, dhe mund të largohen nga spitali brenda 24 orësh, ndërsa kthehen në punë pas pak ditësh, shkruan Euro Weekly, transmeton Gazeta Shneta.
Metoda e re është një alternativë më pak invazive ndaj kraniotomisë tradicionale, që kërkon heqjen e një pjese të madhe të kafkës dhe shpesh lë shenja të dukshme. “Kjo teknikë ndryshon gjithçka,” tha Giamouriadis, duke shpjeguar se modifikimi përmes vetullës i jep kirurgut hapësirën e nevojshme për të hequr tumore të mëdha pa prekur zonat e shëndetshme të trurit. Ndërhyrja përfundon brenda tri orëve, në krahasim me 8-10 orët që kërkon operacioni klasik.
Deri tani, Giamouriadis dhe ekipi i tij kanë kryer procedurën tek 48 pacientë dhe besojnë se janë të parët në botë që kanë hequr tumore të kësaj madhësie me këtë teknikë.
Kirurgu shpreson të zhvillojë trajnime për kirurgë të tjerë përmes teknologjisë së realitetit virtual, duke e bërë metodën të qasshme për më shumë profesionistë dhe pacientë në të ardhmen./Gazeta Shneta/


