Shërbimi për trajtimin e sulmit në tru në QKUK mund të ndalet meqë mjekët nuk u paguan që tre muaj për punën e tyre jashtë orari.
Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës para disa muajsh ka filluar shërbimi i Stroke Center, ndryshe qendra për trajtimin e pacientëve me sulm në tru, shkruan Gazeta Shneta.
Ky shërbim i vendosur në hapësirat e Klinikës së Neurologjisë, përbëhet nga radiologë të cilët i kryejnë procedurat e trombektomisë ose radiologjisë intervente, si dhe neurologë dhe teknikë.
Por jo gjithçka është duke shkuar sipas planit meqë radiologët të cilët janë vendosur në gatishmëri 24 orë për t’i trajtuar pacientët, nuk janë paguar që tre muaj.
Radiologët të cilët ishin angazhuar në Stroke, paguheshin për qëndrimin në gatishmëri dhe trajtimin e rasteve jashtë orarit të punës. Por këto pagesa janë ndalë meqë legjislacioni nuk njeh pagesa për gatishmëri por vetëm për kujdestari ose për punë jashtë orarit.
Dy radiologë që punojnë në këtë shërbim i kanë shprehur pakënaqësitë e tyre në adresë të Gazetës. Ata kanë thënë se menaxhmenti i SHSKUK-së dhe QKUK-së iu kanë premtuar se do të rregullohet forma e pagesës por deri më tani nuk ka asnjë ndryshim.
Ata thonë se nëse do të vazhdohet kështu, shërbimi mund të ndërpritet meqë nuk paguhen për punën e tyre jashtë orarit.
SHSKUK dhe QKUK nuk i kanë kthyer përgjigje Gazetës në lidhje me këto shqetësime.
Në Stroke Center vetëm në tre javët e fundit janë trajtuar me sukses së paku tre pacientë. Njëri nga radiologët, Dr. Naser Gjonbalaj, i ka publikuar rastet në rrjetin social Linkedin. Dy raste janë trajtuar brenda 3.5 orësh nga koha e sulmit në tru, kurse rasti i tretë brenda 5.5 orësh.
Këtë shëbrim deri më tani qytetarët e kanë marr në institucione private jashtë Kosovës. Kostoja e këtij trajtimi ka kushtuar deri në 30 mijë euro. /Gazeta Shneta/




