Sipas një studimi të ri nga Universiteti Johns Hopkins, korrigjimi në kohë i defekteve pamore mund të ndihmojë në parandalimin e 19% të rasteve të demencës te të moshuarit.
Studimi, i publikuar në JAMA Ophthalmology, sugjeron se probleme të ndryshme vizuale, si ndjeshmëria e ulët e kontrastit dhe mprehtësia vizuale e dobët, ndikojnë në zhvillimin e demencës. Ky është një ndër studimet e para që ka vlerësuar lidhjen mes defekteve pamore dhe demencës në një popullatë të moshuarish, shkruan NIH, transmeton Gazeta Shneta.
Në hulumtim morën pjesë 2,767 të rritur mbi 70 vjeç, të cilët iu nënshtruan testeve për mprehtësinë vizuale dhe ndjeshmërinë e kontrastit, parametra që shpesh anashkalohen por janë të rëndësishëm për shëndetin e trurit.
Rezultatet treguan se 32.2% e pjesëmarrësve kishin të paktën një lloj defekti pamor, me një prevalencë më të lartë midis grave dhe popullsisë së bardhë johispanike.
Fraksioni që i atribuohet popullatës (PAF) u përdor për të vlerësuar ndikimin teorik të parandalimit ose trajtimit të defekteve pamore. Deficiti i ndjeshmërisë së kontrastit ishte faktori kryesor, me një PAF prej 15%, i ndjekur nga mprehtësia vizuale në afërsi (9.7%) dhe në distancë (4.9%).
Ekspertët si Mingguang He nga Universiteti Politeknik i Hong Kongut theksojnë rëndësinë e këtij zbulimi. Duke qenë se deri në 80% e defekteve pamore janë të trajtueshme ose të parandalueshme, ndërhyrjet e hershme për ruajtjen e shikimit mund të ulin ndjeshëm barrën globale të demencës./Gazeta Shneta/


