FDA e Shteteve të Bashkuara njoftoi një propozim për të hequr fenilefrinën orale – një përbërës i zakonshëm në shumë dekonjestionues të njohur që shiten pa recetë – nga tregu, duke iu referuar provave që tregojnë se ai nuk është efikas.
Fenilefrina, që gjendet në produkte si Sudafed PE, Vicks DayQuil dhe Mucinex Sinus-Max, është përdorur gjerësisht si dekonjestionues nazal për dekada. Propozimi i FDA nuk është një urdhër i menjëhershëm; ai nis një periudhë komentesh publike prej gjashtë muajsh, pas së cilës agjencia do të marrë një vendim përfundimtar nëse do të heqë produktet nga raftet, shkruan NBC, transmeton Gazeta Shneta.
Pavarësisht se fenilefrina ka marrë miratimin e FDA për përdorim pa recetë që në vitet 1970, popullariteti i saj u rrit në vitin 2005, pasi legjislacioni e kaloi pseudoefedrinën – një dekonjestionues tjetër që përdoret gjithashtu për të prodhuar metamfetaminë – pas dyerve të farmaciave.
Siguria e fenilefrinës nuk është në diskutim, por efektiviteti i saj është kontestuar për vite me radhë. Në vitin 2007, një panel këshillimor i FDA, që shqyrtoi studimet e disponueshme, arriti në përfundimin se fenilefrina mund të jetë efikase si dekonjestionues, megjithatë rekomandoi më shumë hulumtime.
Që atëherë, disa prova klinike të mëdha kanë treguar se ky ilaç është i pafuqishëm kur merret në formë orale. Në shtator të vitit 2023, një komitet këshillimor i FDA arriti në përfundimin se provat ishin të qarta që fenilefrina është joefikase në dozën e zakonshme orale.
Nëse FDA vendos në fund të heqë këtë përbërës, do t’i japë mundësi prodhuesve të “riformulojnë ose të heqin produktet e ilaçeve që përmbajnë fenilefrinë orale nga tregu”, tha Dr. Theresa Michele, drejtoreshë e Zyrës së Ilaçeve pa Recetë në FDA.
Fenilefrina përdoret gjithashtu në spraj për hundët për lehtësimin e ngërçeve nazale, por Michele theksoi se propozimi i FDA synon vetëm format orale të këtij ilaçi.
Shoqata e Produkteve të Kujdesit Shëndetësor për Konsumatorët (CHPA), që përfaqëson prodhuesit e ilaçeve pa recetë, shprehu shqetësimin për këtë veprim të FDA.
“CHPA mban qëndrimin se nuk ka nevojë për ndryshime në statusin GRASE (i njohur si i sigurt dhe i efektshëm) të fenilefrinës orale për dekonjestionin nazal, bazuar në të dhënat e disponueshme që nga shqyrtimi i fundit në vitin 2007… PE është i vetmi dekonjestionues oral pa recetë që është i disponueshëm pa kufizime blerjeje dhe është i përfshirë në shumë ilaçe pa recetë për kollën dhe ftohjen që janë etiketuar me deklarata për dekonjestion,” thuhet në një deklaratë të shoqatës.
“Konsumatorët kanë nevojë për mundësi për kujdesin e vet, dhe liria e zgjedhjes për kujdesin e vet është një atribut kyç i sistemit shëndetësor të kombit tonë. PE duhet të mbetet një mundësi për konsumatorët, sepse amerikanët meritojnë mundësinë për të zgjedhur ilaçet e sigurta dhe efektive pa recetë që preferojnë dhe mbështeten.”/Gazeta Shneta/


