Dita Botërore e Diabetit, shënohet çdo vit më 14 nëntor. Kjo është një ngjarje ndërkombëtare e cila synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi ndikimin e diabetit dhe të promovojë parandalimin, diagnostikimin dhe menaxhimin e kësaj sëmundjeje.
Diabeti është një sëmundje kronike që ndikon në mënyrën se si trupi përdor sheqerin (glukozën) në gjak.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), diabeti është një nga sëmundjet më të përhapura në botë dhe përbën një sfidë të madhe për sistemet shëndetësore globale.
Prevalenca e diabetit është në rritje në mbarë botën dhe kjo është ndërlidhur ngushtë me rritjen e obezitetit dhe ndryshimet në stilin e jetesës.
Në një intervistë për Gazetën Shneta, drejtoresha e Klinikës së Endokrinologjisë së QKUK-së, Dr. Merita Emini –Sadiku ka treguar më shumë rreth diabetit.
Dr. Emini-Sadiku, numëron hapat që duhet ndjekur për të parandaluar diabetin, teksa analizon rastet me prediabet dhe mënyrën e menaxhimit të duhur të gjendjes.
Ajo tregon rreth statistikave të fundit të rasteve të hospitalizuara në klinikën të cilën e drejton, për demografi dhe prevalencë të diabetit dhe shumëçka tjetër.
Gazeta Shneta: Cilat janë statistikat e fundit rreth hospitalizimit të pacientëve me diabet të trajtuar në klinikë?
Dr. Merita Emini-Sadiku: Sa i përket statistikave të të sëmurëve të shtruar për trajtim intrahospitalor në Klinikën e Endokrinologjisë me sëmundjen e diabetit nga janari 2024 deri më sot kemi pasur 525 pacientë, prej të cilëve 517 janë me diabet të tipit 2 dhe 18 janë me diabet të tipit 1.
Gazeta Shneta: A keni vënë re ndonjë tendencë në rritje të prevalencës së diabetit gjatë viteve të fundit?
Dr. Emini-Sadiku: Po, ka tendencë rritje të numrit të pacientëve me diabet çdo vit dhe këtë e kemi vërejtur në kuadër të shërbimit ambulantor të Klinikës së Endokrinologjisë, ku në ditë japim shërbime 4-6 endokrinologë dhe ky numër vitin e kaluar ka qenë mbi 15000 pacientë me sëmundje të diabetit dhe sëmundje tjera endokrinologjike. Nga kjo shifër është dominues sëmundja e diabetit.
Gazeta Shneta: Në mesin e statistikave, a ka demografi specifike si mosha ose gjinia e atyre që janë më të prekur nga diabeti?
Dr. Emini-Sadiku: Dominojnë femrat dhe mosha e mesme me sëmundjen e diabetit tipit 2.
Gazeta Shneta: Si ka ndryshuar incidenca e komplikimeve të lidhura me diabetin (p.sh., retinopati, neuropati, nefropati) në mesin e pacientëve? Ndonjë ndryshim të vërjetur nga puna juaj si kliniciste dhe akademike e fushës?
Dr. Emini-Sadiku: Sipas të dhënave që i posedojmë si Klinikë e Endokrinologjisë, për pacientët intrahospitalor me DM tip 2, për periudhën janar 2021-korrik 2022, lidhur me komplikimet kronike, janë gjetur këto të dhëna: nga komplikimet mikrovaskulare siç është retinopatia diabetike kishte 39.5% e rasteve, neuropati diabetike 53%, nefropati diabetike 24.7%, ndërsa sa i përket komplikimeve makrovaskulare me sëmundje kardiovaskulare (përfshirë koronaropati, hipertension arterial dhe sëmundje kardiovaskulare –SKV tjera) 60,12% të rasteve, sëmundje cerebrovaskulare 4.5%, këmbë diabetike 7.7%. Gjatë vitit 2023 në Klinikën e Endokrinologjisë, janë trajtuar 37 raste me komplikime akute të diabetit.
Lidhur me këto komplikime, siç po shihet edhe nga përqindjet e mësipërme, është shqetësuese përqindja e madhe e komplikimeve kardiake dhe atyre për neuropati diabetike. Nisur nga ky fakt ne vazhdimisht pacientët tanë i udhëzojmë të kenë konsulta të rregullta me kardiologun sa i përket komplikmeve kardiovaskulare të diabetit si dhe për pacientët të cilët nuk kanë ankesa kardiake, të ndjekin këshillat tona dhe sidemos mbajtjen normale të nivelit të glikemisë.
Ndërsa sa i përket neuropative diabetike dhe këmbës diabetike, ne që nga fillimi i këtij viti kemi filluar në baza të rregullta të bëjmë skriningun për këmbë diabetike në mënyrë që të gjejmë sa më herët çrregullimet siç janë polineurapatinë diabetike, vaskulopatinë diabetike dhe të parandalohet me kohë ulcerimi i gishtërinjve dhe këmbës diabetike si dhe amputimet e tyre.
Ndërsa sa i përket kontributit tonë si staf akademik për gjeneratat e reja, çdo shërbim që ne e ofrojmë për pacientët këtë mundohemi ta përcjellim edhe tek gjeneratat e reja të specializantëve të endokrinologjisë, studentet e Fakultetit të Mjekësisë si dhe atyre të infermierisë.
Gazeta Shneta: A ka ndryshime në sjelljen e barnave të reja të diabetit në revidimin e fundit të Listës Esenciale të Barnave?
Dr. Emini-Sadiku: Po, fatmirësisht në Listën Esenciale të Barnave për diabet tani kemi edhe empagliflozinën, një nga barnat e klasës së “SGLT2 inhibioteve”, të cilat janë barnat më të rekomanduara te udhërrëfyesve klinik të fundit botëror për trajtimin e diabetit, parandalimin dhe trajtimin e komplikimeve kronike të diabetit siç janë ato kardiake dhe renale.
Gazeta Shneta: Cilët janë shkaktaret më të shpeshtë që sjellin tek diagnoza e diabetit?
Dr. Emini-Sadiku: Shkaktarët më të shpeshtë që sjellin deri tek diagnoza e sëmundjes së diabetit janë: obeziteti i cili shkakton fillimisht rezistencën insulinike dhe më pas diabetin, ushqimi i pashëndetshëm, mosaktiviteti fizik, historia familjare për diabet apo gjenetika, diabeti gjatë shtatzënisë dhe nëse pacientja ka vezore policistike ka më shumë gjasa se të tjerat të fitojë sëmundjen e diabetit nëse kjo kombinohet edhe me obezitet.
Gazeta Shneta: A mund të numëroni hapat kryesor që ndihmojnë në parandalimin e sëmundjes?
Dr. Emini-Sadiku: Për të parandaluar diabetin është e rëndësishme ushqimi i shëndetshëm dhe aktiviteti fizik, të parandalohet shtimi i peshës dhe jeta sa më pak stres fizik dhe psiqik. Të pasurit dikë në familje me diabet nuk do të thotë se je i rrezikuar për të pasur domosdoshmërisht sëmundjen e diabetit por do të thotë që nëse nuk keni kujdes në faktorët e mësipërm mund të shtohet rreziku për të fituar këtë sëmundje.
Gazeta Shneta: Nga praktika mjekësore, a mund të ndani ndonjë rast të pacientëve me prediabet që kanë parandaluar me sukses përparimin e gjendjes në diabetin e tipit 2 përmes ndërhyrjeve në stilin e jetës?
Dr. Emini-Sadiku: Po, ka mjaft raste të tilla të cilat i identifikojmë si pacientë me rezistencë insulinike apo pacientë me prediabet të cilët kryesisht kanë peshë të shtuar apo janë me obezitet. Rënia në peshë tek këta pacientë ka parandaluar zhvillimin e sëmundjes së diabetit.
Mirëpo, kjo përpjekje është e përbashkët mes mjekëve dhe vet pacientit dhe është e varuar nga shumë faktorë. Ata të cilën arrijnë t’i balancojnë të gjithë këta faktorë në mirëmbajtje e peshës sigurisht suksesi është më i madh dhe më i zgjatur përdersia tek ata të cilët nuk arrijnë të jenë të qëndrueshëm në ndryshimin e stilit të jetës së tyre – sëmundja e diabetit paraqitet më shpejt.
Poashtu kam pacientë të shumtë të cilët tani janë në remision të sëmundjes që janë më diabet të tipit 2 por ju kam ndërpre barnat dhe vazhdojnë të trajtohen vetëm me ushqime të shëndetshme dhe aktivitet fizik.
Këta janë një numër i pakët i pacientëve me diabet të tipit 2, që kanë pak kohë që kanë sëmundjen e sheqerit dhe tek të cilët niveli i sekretimit të insulinës është i mirë dhe tek të cilët janë të mjaftueshme vetëm ushqimi i shëndetshëm dhe aktiviteti fizik për të mbajtur vlerat e glikemisë normale pa barna. /Gazeta Shneta/




