Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK), ka njoftuar se në Klinikën e Urologjisë së QKUK-së është rikthyer funksionalizimi i shërbimit ESWL.
Shërbimi ESWL (Extracorporeal Shock Wave Lithotripsy), është një procedurë mjekësore jo-invazive që përdoret për të trajtuar gurët në veshka dhe ndonjëherë dhe gurët në ureter në pjesën e sipërme të traktit urinar. Sipas literaturës së fundit, ky shërbim ka disa përparësi krahasuar me trajtimet tradicionale si kirurgjia.
Teksa është proces jo-inavaziv që do të thotë se nuk kërkon operacion ose prerje, përdorë një teknologji të avancuar të valëve goditëse që synojnë gurët e vegjël dhe të mesëm – pa dëmtuar indet përreth dhe tutje, pacientët zakonisht rikuperohen më shpejtë përmes kësaj metode, shkruan Gazeta Shneta.
Sipas njoftimit të ShSKUK-ës, ky shërbim ka qenë jashtë funksionit për një periudhë kohore, por tani është rikthyer në një hapësirë të rinovuar dhe moderne për pacientët.
“Për të përmirësuar efikasitetin dhe qasjen për qytetarët, orari i shërbimit është zgjatur, duke mundësuar trajtime në dy ndërrime. Ky ndryshim synon të përshpejtojë procedurat dhe të reduktojë kohën e pritjes për pacientët që kanë nevojë për këtë trajtim”, theksohet në njoftim. /Gazeta Shneta/




