Një ilaç i zakonshëm për trajtimin e astmës, montelukasti, i cili përdoret nga qindra mijëra britanikë, mund të rrisë rrezikun e mendimeve vetëvrasëse dhe vetëvrasjes, sipas një studimi të ri të mbështetur nga qeveria amerikane. Ilaçi, i njohur me emrin tregtar Singulair, përdoret gjerësisht për trajtimin e astmës dhe ka pasur mbi 4 milionë receta në Britani vitin e kaluar.
Kërkimet kanë treguar se montelukasti mund të kalojë barrierën gjak-tru dhe të lidhet me qelizat që kontrollojnë humorin dhe impulsivitetin, duke shkaktuar ndryshime të mundshme psikiatrike. Studimi nisi pas raporteve shqetësuese për fëmijë që kanë tentuar ose kryer vetëvrasje gjatë përdorimit të ilaçit, duke përfshirë disa të rinj deri në moshën pesë vjeç, shkruan Guardian, transmeton Gazeta Shneta.
Aktualisht, shqetësimet rreth 350,000 pacientëve britanikë që përdorin montelukast, përfshirë 35,000 fëmijë, kanë nxitur kërkesa për informacion më të mirë mbi rreziqet e mundshme të ilaçit. Montelukasti, i përdorur për të bllokuar kimikatet që shkaktojnë fryrjen e rrugëve të frymëmarrjes gjatë sulmeve astmatike, është në treg që nga vitet ’90 dhe përdoret kryesisht për pacientët që nuk kontrollojnë astmën me ilaçe të tjera.
Aktivistët kanë kërkuar informacione më të qarta për rreziqet e mundshme, ndërsa rezultatet e hetimeve të fundit, të mbështetura nga FDA, kanë konfirmuar lidhjen mes ilaçit dhe gjendjeve psikiatrike. Megjithatë, ekspertët nuk rekomandojnë ndalimin e ilaçit, duke theksuar se studimet po vazhdojnë dhe rezultatet përfundimtare ende nuk janë publikuar.
Rregullatori britanik i barnave, MHRA, ka theksuar se përfitimet e montelukastit tejkalojnë rreziqet për shumicën e pacientëve, por ka shtuar paralajmërime të dukshme për rreziqet e mundshme në informacionet që shoqërojnë ilaçin. Raportet e sigurisë kanë përfshirë raste vetëvrasjeje dhe reagime neuropsikiatrike tek fëmijët, duke përfshirë 500 raste të dyshuara tek fëmijët nën 10 vjeç.
Familjet që kanë humbur të afërm nga vetëvrasja, si Harry Miller dhe James Burke, kanë shprehur shqetësimet e tyre dhe kërkojnë që më shumë të bëhet për të ndihmuar në paralajmërimin e pacientëve mbi rreziqet e mundshme./ Gazeta Shneta/


