Një studim i ri nga Universiteti Telematic San Raffaele në Romë, i publikuar në revistën shkencore Frontiers in Nutrition, ka zbuluar se burrat janë më të rrezikuar nga diabeti i tipit 2 për shkak të zakoneve të tyre ushqimore. Konsumi i lartë i mishit të përpunuar, i pasur me nitrate dhe konservues, lidhet me rritjen e stresit oksidativ dhe inflamacionit kronik, duke nxitur kështu rezistencën ndaj insulinës.
Autorja bashkëpunuese e studimit, Alessandra Feraco, shpjegon se burrat janë më të prirur për të konsumuar mish të kuq dhe produkte të përpunuara, të cilat kontribuojnë në ndryshime metabolike dhe shtim të yndyrës trupore. Përkundrazi, gratë zakonisht bëjnë zgjedhje më të shëndetshme, si konsumimi i perimeve, drithërave, tofus dhe çokollatës së zezë me përmbajtje të lartë kakaoje, shkruan Health, transmeton Gazeta Shneta.
“Dallimet biologjike dhe sociokulturore e bëjnë thelbësore zhvillimin e strategjive gjinore për shëndetin publik,” theksojnë studiuesit, duke nënvizuar rëndësinë e ndërhyrjeve nutricionale të personalizuara.
Sipas autorit kryesor të studimit, Massimiliano Caprio, incidenca e diabetit të tipit 2 po rritet vazhdimisht, përfshirë edhe te grupmoshat më të reja. Ai paralajmëron:
“Pavarësisht përparimeve në barnat mjekësore, vetëm parandalimi dhe edukimi për një mënyrë jetese të shëndetshme mund të ndihmojnë në përballimin e kësaj epidemie të vërtetë.”
Ekspertët rekomandojnë që burrat të bëjnë ndryshime në zakonet e tyre ushqimore, duke shmangur ushqimet e përpunuara dhe duke zgjedhur një dietë të pasur me perime dhe drithëra, ndërkohë që autoritetet shëndetësore duhet të promovojnë ndërgjegjësimin dhe programe parandaluese për të frenuar rritjen e rasteve të diabetit./ Gazeta Shneta/


