Stërvitjet e shkurtra, por të forta, mund të ndihmojnë në reduktimin e rrezikut nga problemet kryesore kardiovaskulare, sidomos tek gratë.
Studime të mëparshme kanë treguar se aktiviteti i rregullt fizik ndihmon në uljen e rrezikut nga ngjarje të mëdha kardiovaskulare (MACE), si insuficienca kardiake, goditjet në tru dhe sulmet në zemër, shkruan Medical News, transmeton Gazeta Shneta.
Sipas hulumtuesve nga Universiteti i Sidneit, vetëm 1.5 deri në 4 minuta ushtrime të shkurtra me intensitet të lartë gjatë ditës mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut të MACE. Kjo lidhje u vërejt më së shumti tek pjesëmarrëset femra krahasuar me meshkujt.
Emmanuel Stamatakis, PhD, drejtor i Mackenzie Wearables Research Hub në Qendrën Charles Perkins dhe profesor në Fakultetin e Mjekësisë dhe Shëndetit në Universitetin e Sidneit, shpjegon:
“Mungesa e aktivitetit fizik është një çështje madhore e shëndetit publik, duke kontribuar deri në 6 milionë vdekje në vit në mbarë botën dhe është përgjegjëse drejtpërdrejt për të paktën 15–20% të sëmundjeve kardiovaskulare.”
Ai thekson se ka nevojë urgjente për mënyra të arritshme për të nxitur aktivitetin fizik, pasi vetëm 20% e popullsisë së moshës mesatare dhe më të moshuar bëjnë rregullisht ushtrime të strukturuara si në palestër, vrap, apo klasa.
Studimi, i publikuar në British Journal of Sports Medicine, tregon se ushtrimet e njohura shkencërisht si “aktivitet fizik i ndërprerë dhe i fortë i stilit të jetës” (VILPA) – si ngjitja e shkallëve në vend të ashensorit apo bartja e çantave të blerjeve për një distancë të shkurtër – mund të jenë veçanërisht efektive në uljen e rrezikut të MACE, veçanërisht për gratë.
Ky zbulim nënvizon rëndësinë e integrimit të ushtrimeve të thjeshta dhe të arritshme në rutinën e përditshme për të përmirësuar shëndetin kardiovaskular dhe për të zvogëluar rrezikun e sëmundjeve serioze./ Gazeta Shneta/


