Aktiviteti fizik mund t’ju ndihmojë të bini në gjumë më shpejt dhe të flini më mirë – por koha ka rëndësi. Ushtrimi shumë afër kohës së gjumit mund t’i përkeqësojë problemet e gjumit.
“Ushtrimi, veçanërisht i fuqishëm ose me intensitet të lartë, shoqërohet me lirimin e më shumë hormoneve të stresit dhe stimulimin simpatik të trupit: ato nivele të larta të epinefrinës, norepinefrinës dhe kortizolit e bëjnë të vështirë gjumin,” tha John P. Higgins, kardiolog sportiv në UTHealth në Hjuston për Very Well Health.
Hulumtimet tregojnë se dalja në palestër gjatë natës mund të zvogëlojë kohën totale të gjumit. Por, kryerja e aktiviteteve me intensitet më të ulët disa orë para gjumit – si joga rrit melatoninën, redukton stresin dhe ul presionin e gjakut dhe temperaturën e trupit, gjë që mund të nxisë gjumin, shtoi Dr. Higgins.
Ata që zgjohen herët mund të kenë një avantazh, pasi mbajtja e një stërvitjeje në mëngjes ka shumë përfitime për gjumin dhe shëndetin e përgjithshëm. Një përmbledhje e vitit 2020 zbuloi se stërvitja e vazhdueshme në mëngjes përmirëson menaxhimin e peshës tek të rriturit me obezitet, transmeton Gazeta Shneta.
Humbja e peshës mund të ndihmojë në uljen e rrezikut të apnesë obstruktive të gjumit, një çrregullim në të cilin bllokimi i rrugëve të frymëmarrjes ju bën të ndaloni përkohësisht frymëmarrjen gjatë gjumit.
Dalja jashtë dhe stërvitja në dritën natyrale të mëngjesit gjithashtu ju mban më zgjuar dhe mund të ndihmojë në përmirësimin e disponimit tuaj, tha për Very Well Health, Dr. Aruna Rao, neurolog dhe specialist i mjekësisë së gjumit në Johns Hopkins Medical Center.
Ekspozimi i dritës ndihmon në rregullimin e orës së brendshme 24-orëshe të trupit tuaj, Megjithatë, kjo nuk do të thotë që çdo person duhet të zgjohet në orën 5 të mëngjesit për të bërë një vrap në agim.
“Për çdo person, koha për të ushtruar bazohet në atë që është ritmi juaj cirkadian. Për shembull, nëse ritmi cirkadian i dikujt është 9 p.m. koha e gjumit dhe ora 5 e mëngjesit është për t’u ngritur, më pas mëngjesi është një kohë e mirë për të ushtruar,” tha Dr. Rao. /Gazeta Shneta/


