Në një takim të Komitetit Drejtues të projektit të bashkëpunimit me Luksemburgun në sektorin e shëndetësisë, është arritur një marrëveshje e rëndësishme për modernizimin dhe transformimin e Spitalit të Gjilanit.
Në prani të Ambasadorit të Luksemburgut, Eric Dietz, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se dakordua për ristrukturimin e plotë të spitalit dhe ndërtimin e një aneksi të ri, duke synuar përmirësimin e infrastrukturës dhe cilësisë së shërbimeve mjekësore.
Një tjetër projekt i rëndësishëm që u miratua është ndërtimi i laboratorit të radhës për kateterizim të zemrës (Cath Lab) në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Ky investim i avancuar synon të forcojë kapacitetet e trajtimit të sëmundjeve kardiovaskulare, duke ofruar mundësi më të mira për pacientët, shkruan Gazeta Shneta.
Vlera totale e këtyre investimeve arrin në rreth 6 milionë euro, ndërsa për realizimin e tyre do të bëhet amandamentimi i marrëveshjes ekzistuese me LUX-Dev, agjencinë për zhvillim të Luksemburgut.
Ministria e Shëndetësisë shpreh mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë së Luksemburgut dhe Ambasadorit Dietz, duke theksuar se këto projekte janë një hap i madh drejt transformimit të spitaleve rajonale dhe rritjes së cilësisë së shërbimeve për qytetarët e Kosovës.
“Falënderoj Ambasadorin Eric Dietz dhe Qeverinë e Luksemburgut për mbështetjen. Vazhdojmë transformimin e spitaleve rajonale dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët tanë”, theksoi Vitia. /Gazeta Shneta/
Postimi i plotë:
Në Komitetin Drejtues të projektit të bashkëpunimit me Luksemburgun në sektorin e shëndetësisë, së bashku me Ambasadorin e Luksemburgut, Eric Dietz, u dakorduam për modernizimin dhe transformimin e Spitalit të Gjilanit, që përfshin ristrukturimin e plotë të spitalit dhe ndërtimin e një aneksi të ri.
Po ashtu, u dakorduam për ndërtimin e laboratorit të radhës për kateterizim të zemrës (Cath Lab) në QKUK.
Vlera totale e këtyre investimeve arrin rreth 6 milionë euro, për të cilat do të bëhet amandamentimi i marrëveshjes ekzistuese me LUX-Dev.
Falënderoj Ambasadorin Eric Dietz dhe Qeverinë e Luksemburgut për mbështetjen.
Vazhdojmë transformimin e spitaleve rajonale dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët tanë.




