Shumë të moshuar dhe kujdestarët e tyre nuk e dinë që mjeku u ka diagnostikuar demencën.
Një studim i botuar në “Journal of General Internal Medicine”, zbuloi se mbi 75% e pacientëve me demencë nuk ishin në dijeni të diagnozës së tyre. Kjo nuk lidhet me mungesën e kujdesit mjekësor, pasi vetëm 7% e pjesëmarrësve nuk kishin mjek familjar, shkruan burimi Health Day përcjell Gazeta Shneta.
Sipas studiuesve, mjekët shpesh hezitojnë të japin diagnozën për shkak të mungesës së kohës për vlerësim të plotë ose trajtimit të pamjaftueshëm mbi demencën. Disa presin që pacientët ose familjarët të shprehin shqetësimet e tyre para se të fillojnë diskutimin.
Studimi përfshiu mbi 300 persona nga Nueces County, Teksas, SHBA, me moshë mesatare 76 vjeç, të cilët iu nënshtruan një testi njohës për demencë. Rezultatet treguan se 81% e të diagnostikuarve nuk ishin në dijeni të gjendjes së tyre. Tek meksikano-amerikanët, kjo shifër ishte edhe më e lartë – 85%, krahasuar me 68% te të bardhët.
Hulumtuesit theksojnë se një diagnozë e dhënë në kohë është thelbësore për të siguruar trajtim dhe mbështetje për pacientët dhe kujdestarët e tyre.
Dr. Lewis Morgenstern nga Universiteti i Miçiganit e cilësoi mungesën e vetëdijes për diagnozën si një problem shëndetësor publik që duhet adresuar, pasi një diagnozë e qartë u jep pacientëve mundësinë për të marrë kujdesin e nevojshëm. /Gazeta Shneta/


