Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka miratuar Spravato CIII (esketamine), një spray nazal për të rriturit që vuajnë nga çrregullimi i rëndë depresiv dhe që nuk kanë reaguar mjaftueshëm ndaj të paktën dy antidepresantëve oralë, sipas një njoftimi për shtyp të publikuar nga Johnson & Johnson.
Spravato është terapia e parë dhe e vetme e miratuar si monoterapi për të rriturit me çrregullim depresiv të rezistueshëm ndaj trajtimeve, shkruan burimi Health Day transmeton Gazeta Shneta.
Miratimi i Spravato, i dhënë pas një shqyrtimi me përparësi nga FDA, bazohej në rezultatet e një studimi të rastësishëm, të kontrolluar me placebo.
Pas katër javësh, 22.5% e pacientëve që përdorën Spravato arritën remisien (një periudhë gjatë së cilës simptomat e një sëmundjeje zvogëlohen ose zhduken plotësisht) krahasuar me 7.6% të pacientëve që morën placebo.
Spravato administrohet nga pacienti nën mbikëqyrjen e një ofruesi të kujdesit shëndetësor në një mjedis shëndetësor.
Ky medikament synon neurotransmetuesin glutamat, megjithatë, mekanizmi me të cilin esketamina shfaq efektin e saj antidepresiv mbetet i panjohur.
“Spravato tani është i disponueshëm si një trajtim i pavarur, që do të thotë se pacientët mund të përjetojnë përmirësime të simptomave depresive që brenda 24 orëve dhe pas 28 ditësh – pa pasur nevojë për antidepresantë oralë të përditshëm”, tha autorët.
Miratimi i spray Spravato iu dha kompanisë Johnson & Johnson. /GazetaShneta/


