Oda e Mjekëve të Kosovës (OMK), ka njoftuar se është ndarë nga jeta Prof. Dr. Arif Birinxhiku.
OMK, ka rikujtuar veprimtarinë e të ndjerit Dr. Birinxhikut dhe ka shprehur ngushëllime në drejtim të familjarëve, miqve dhe kolegëve të tij.
“Për një kohë të gjatë ka punuar si neuropsikiatër në Klinikën e Psikiatrisë, pastaj si shef i repartit dhe një kohë si drejtor i kësaj Klinike. Në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, gjithashtu ka qenë i angazhuar si profesor i rregullt”, thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë nga OMK:
Prof. Dr. Arif Birinxhiku përfundoi studimet në vitin 1975 në Fakultetin e Mjekësisë, në Universitetin e Prishtinës.
Një pjesë të specializimit e ka kryer në Neuropsikiatri, për të vazhduar në Klinikën Neurologjike dhe Psikiatrike në Zagreb dhe provimin e specializimit e përfundoi në Institutin për Neurologji, Psikiatri dhe Shëndet Mendor në Novi Sad, në vitin 1981.
Ndërsa studimet postdiplomike i përfundoi në Psikiatrinë Sociale në Zagreb, në vitin 1979.
Për një kohë të gjatë ka punuar si neuropsikiatër në Klinikën e Psikiatrisë, pastaj si shef i repartit dhe një kohë si drejtor i kësaj Klinike. Në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, gjithashtu ka qenë i angazhuar si profesor i rregullt.
Prof. Dr. Arif Birinxhiku ka ndërruar jetë në qytetin Perth të Australisë.
Oda e Mjekëve të Kosovës u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve dhe kolegëve të tij!




