Një dozë e ulët e përditshme e aspirinës mund të ndihmojë në parandalimin e rikthimit të kancerit tek rreth një e treta e pacientëve me kancer të zorrës së trashë, sipas një studimi të ri.
Marrja e 160 miligramëve aspirinë në ditë përgjysmon rrezikun e rikthimit të kancerit tek pacientët me kancer të zorrës së trashë që kanë një mutacion në gjenet PI3K, raportuan studiuesit në Simpoziumin e Kancereve Gastrointestinale të Shoqatës Amerikane të Onkologjisë Klinike (ASCO) 2025, të mbajtur në San Francisko.
Këto mutacione PI3K gjenden në rreth 30% të rasteve të kancerit të zorrës së trashë dhe mund ta bëjnë kancerin më agresiv dhe më të vështirë për t’u trajtuar, shpjeguan studiuesit.
Rezultatet e këtij studimi mund të ndryshojnë menjëherë trajtimin për këta pacientë, shkruan burimi Health Day përcjell Gazeta Shneta.
“Aspirina është treguar efektive në uljen e shkallës së rikthimit të sëmundjes dhe përmirësimin e mbijetesës pa sëmundje tek më shumë se një e treta e këtyre pacientëve,” tha Dr. Anna Martling, profesoreshë e kirurgjisë në Institutin Karolinska në Suedi.
Në studim u përfshinë mbi 600 pacientë nga Suedia, Danimarka, Finlanda dhe Norvegjia, të cilët kishin kancer të moderuar ose të avancuar të zorrës së trashë ose rektumit.
Pacientët u ndanë rastësisht në dy grupe: një grup mori aspirinën e përditshme, ndërsa tjetri një placebo për tre vjet.
Pacientët me mutacionin PIK3CA, të cilët morën aspirin, kishin 51% më pak rrezik për rikthimin e kancerit, krahasuar me ata që morën placebo. Rikthimi i kancerit ishte 7.7% tek ata që morën aspirin kundrejt 14.1% tek ata që morën placebo.
Në mënyrë të ngjashme, pacientët me mutacione të tjera PI3K që morën aspirin kishin 58% më pak rrezik për rikthimin e kancerit – 7.7% në grupin e aspirinës krahasuar me 16.8% në grupin placebo.
Gjetjet e paraqitura në konferenca mjekësore duhet të konsiderohen paraprake derisa të botohen në një revistë shkencore të rishikuara nga kolegët. /Gazeta Shneta/


