Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nga data 1 shkurt 2025 do të nisë zyrtarisht zbatimi i listës së rregulluar të çmimeve të barnave, duke shënuar një hap të rëndësishëm në reformimin e sektorit farmaceutik në Kosovë.
Kjo reformë synon të sjellë transparencë dhe rregull në tregun farmaceutik, duke u siguruar që qytetarët të jenë përfituesit kryesorë.
Ministria ka theksuar se, ndonëse fillimi i zbatimit mund të sjellë sfida, qëllimi kryesor është krijimi i një sistemi të drejtë dhe të qëndrueshëm, transmeton Gazeta Shneta.
Gjithashtu, nga java e ardhshme do të fillojnë afatet për deklarimin e çmimeve të produkteve medicinale, duke përshirë edhe ato që janë regjistruar për herë të parë.
Ministria e Shëndetësisë ka bërë thirrje për bashkëpunim nga të gjitha palët e interesuara për të garantuar një treg farmaceutik më të drejtë dhe të qëndrueshëm.
Postimi i plotë:
Ministria e Shëndetësisë ju njofton se po shënohet një hap i rëndësishëm në reformimin e sektorit farmaceutik, fillimin e zbatimit të listës zyrtare të çmimeve të barnave, nga data 1 shkurt 2025.
Me këtë po garantojmë rregull dhe transparencë në tregun farmaceutik, në të cilin përfitues më të mëdhenj do të jenë qytetarët e Republikës së Kosovës.
Jemi të vetëdijshëm se fillimi nuk do të jetë i lehtë, do të ketë sfida, por jemi të përkushtuar që ky ndryshim të sjellë përfitime afatgjata për të gjithë, me theks të veçantë për qytetarët tanë.
Për të siguruar respektimin e ligjit, si dhe mbrojtjen e interesave të pacientëve, por edhe palëve tjera të përfshira, Inspektorati Farmaceutik do të jetë plotësisht i angazhuar, për të monitoruar dhe zbatuar këtë reformë legjislative.
Nga java tjetër do fillojnë afatet për deklarim të çmimeve të produkteve medicinale, përfshirë edhe produktet medicinale që janë regjistruar për herë të parë.
Andaj, ftojmë të gjitha palët e interesuara të bashkëpunojnë në këtë proces, për një treg farmaceutik më të drejtë dhe më të qëndrueshëm për të gjithë.
Ministria e Shëndetësisë, do të jetë e angazhuar maksimalisht që zbatimi i këtij ndryshimi legjislativ të jetë më i lehtë dhe të tejkalohen sfidat eventuale që mund t’i hasim gjatë zbatimit.




