Një studim i ri i fazës 3 ka zbuluar se administrimi i një ilaçi imunoterapie para operacionit mund të përmirësojë ndjeshëm rezultatet te pacientet me një formë të zakonshme të kancerit të gjirit.
Studimi përfshiu 510 paciente me kancer të gjirit të tipit ER+ / HER2-, një lloj tumori që përbën rreth 70% të të gjitha rasteve të kancerit të gjirit. Këto tumore shpesh kanë një përgjigje të paparashikueshme ndaj trajtimit dhe mund të kenë një rrezik të lartë përhapjeje shkruan HealthDay transmeton GazetaShneta.
Ilaçi i përdorur në studim ishte nivolumabi (Opdivo), një imunoterapi e administruar intravenoz që funksionon duke bllokuar proteinën PD-1 në sipërfaqen e qelizave kancerogjene. Kjo ndihmon sistemin imunitar të identifikojë dhe shkatërrojë më lehtë qelizat e kancerit. Studimi u financua nga kompania farmaceutike Bristol-Myers Squibb, prodhuesi i Opdivo.
Studiuesit testuan teorinë se administrimi i imunoterapisë para operacionit mund të “përgatisë” sistemin imunitar për të njohur dhe shkatërruar qelizat kancerogjene më efektivisht.
Gjysma e pacienteve në studim morën nivolumab dhe kimioterapi para operacionit, ndërsa gjysma tjetër mori një placebo në vend të imunoterapisë, së bashku me kimioterapi. Pas operacionit, të gjitha pacientet iu nënshtruan terapisë hormonale (endokrine) për të synuar receptorët e estrogjenit në qelizat tumorale.
Rezultatet treguan se nivolumabi e dyfishoi përqindjen e pacienteve pa gjurmë kanceri në trup pas operacionit. Konkretisht, 25% e pacienteve që morën imunoterapi përpara operacionit nuk kishin më qeliza kancerogjene në momentin e ndërhyrjes kirurgjikale, krahasuar me vetëm 14% të atyre që morën vetëm kimioterapi.
Sipas studiuesve, pacientet që kishin tumore me prodhim më të lartë të proteinës PD-1 përfituan më shumë nga trajtimi me imunoterapi.
“Shpresojmë që këto rezultate të ndikojnë në vendimet e trajtimit dhe të përmirësojnë shanset e shërimit për pacientet me kancer të gjirit,” tha bashkautorja e studimit, Dr. Heather McArthur, profesoreshë në Departamentin e Hematologjisë dhe Onkologjisë në UT Southwestern Medical Center në Dallas./GazetaShneta/


